Mbi 55 milionë euro janë ndarë nga Instrumenti i Para Anëtarësimit (IPA) për sundimin e ligjit në Kosovë.
Kështu ka bërë të ditur ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, sipas të cilit, ministria që ai drejton ka koordinuar në tërësi programimin e këtyre fondeve dhe se jetësimi i projekteve të parapara në këtë sektor pritet të ndodh ndërmjet viteve 2016-2018.
“Padyshim që projektet të cilat do të financohen nga BE-ja me 55.5 milionë euro do të ndikojë në forcimin e sundimit të ligjit si një prej pesë prioriteteve strategjike të Qeverisë së Kosovës. Në kuadër të Dokumentit Planifikues Sektorial, janë tri nën sektorë për të cilat janë identifikuar prioritetet që do të mbështeten e që lidhen me drejtësinë, punët e brendshme si dhe komunitetet”, ka thënë Çollaku.
Sa i përket nën sektorit të drejtësisë, ai ka bërë të ditur se mbi 24 milionë euro janë të destinuara për mbështetje e mëtejshme të reformës se gjyqësorit në Kosovë si dhe mbështetjen e mët ejshme në reformën e arsimit ligjor.
Ndërkaq kur është fjala për nën sektorin e punëve të brendshme, për mbështetjen e tij janë ndarë 13 milionë euro. Me këto mjete ministri Çollaku, njofton se do të mbështeten tri prioritete që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit të organizuar, regjistrimin civil dhe sigurinë e dokumenteve si dhe mbështetje për reformën e Policisë së Kosovës.
“Për nën sektorin e komuniteteve Dokumenti planifikues parasheh një prioritet, që është kthimi, riintegrimi dhe stabilizimi i pjesëtarëve të komuniteteve pakicë. Për implementimin e këtij prioriteti janë paraparë mbi 18 milionë euro”, ka plotësuar ai.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Integrimit Evropian, Dokumenti Planifikues Sektorial (DPS) në fushën e studimit te ligjit është hartuar në kuadër të Strategjisë për Asistencë në Sektorin e Sundimit të Ligjit në Kosovë2016-2019, e cila ishte miratuar nga Qeveria e Kosovës.
Objektivi i përgjithshëm i kësaj strategjie është përmirësimi i kushteve për sundimin e qëndrueshëm të ligjit dhe më pas avancimi i procesit të integrimit evropian përmes planifikimit, programimit, dhe përmirësimit të efektivitetit të asistencës së donatorëve në përputhje me prioritetet strategjike kombëtare.
Përderisa programimi i këtyre fondeve të BE-së thuhet të ketë përfunduar në kuadër të Dokumentit Planifikues Sektorial, përmes tyre synohet të forcohet sundimi i ligjit për çka janë hartuar edhe projekte konkrete në fushën e drejtësisë dhe punëve të brendshme.
