Qeveria do të ndajë mbi 40 milionë euro për t’i paguar borxhet për faturat e papaguara për energji elektrike të institucioneve që me vite të tëra nuk kanë paguar rrymë. Edhe pse thoshte se do t’i mbulojë vetëm ato institucione që janë me rëndësi vitale, siç është Shëndetësia, megjithatë lista është më e gjatë. Përveç Qendrës klinike, Hekurudhave, gjykatave, konvikteve, universiteteve, burgjeve, në listë është edhe Kopshti zoologjik. Por prej ku do të sigurohen ato para? Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se do të riorientohen mjetet e projekteve kapitale që nuk janë realizuar.
“Prej projekteve që nuk realizohen me dinamikën e paraparë, u riorientuan për shkak të nevojës që të paguhen faturat për energji elektrike për institucionet që janë me rëndësi vitale për shtetin. Flasim për spitalet, ujësjellësin, për shkak se kur flasim për furnizim me ujë, flasim për stacionet e pompave që furnizohen nga sisteme për furnizim me ujë edhe për nevoja të tjera industriale. Sa u përket ujësjellësve të qyteteve e dini se i futëm në tregun e rregulluar të energjisë elektrike.”- deklaroi Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.
Kovaçevski këto ditë tha se për udhëheqësit e institucioneve që kanë punuar në mënyrë të papërgjegjshme dhe nuk i kanë paguar faturat, do të ketë përgjegjësi. Tani për tani nuk deshi të tregojë nëse Qeveria ka sjellë vendim që disa prej drejtorëve të mbajnë përgjegjësi. Tha se do të bëhet evaluim në nivel të tremujorit për punën e tyre, e pastaj do të merren vendime.
“Ju them se do të ketë evaluim dhe ju them se në bazë të këtij evaluimi, ashtu siç ishte deri më tani, edhe në të ardhmen, mund të ketë, për shkak se ka pasur edhe në të kaluarën shkarkime të drejtuesve për të cilët kemi njoftuar, dhe mund të ketë edhe në të ardhmen. Do të thotë se nëse prej dikujt pritet se mund të ketë rezultate më të mira, në bazë të këtyre pritjeve mund të emërohen njerëz të rinj.”- pohoi Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.
Pas paralajmërimeve për pagimin e borxheve të vjetra ndaj EVN-së, reaguan nga “Enerxhi Deliveri Solushën”, prej ku kërkojnë që qeveria t’i paguajë borxhet e ndërmarrjeve publike ndaj furnizuesve të tjerë me energji elektrike.
“Apelojmë që është e domosdoshme që Qeveria t’i ndihmojë edhe ndërmarrjet publike që kanë borxh edhe ndaj furnizuesve të tjerë me energji elektrike. Ndërhyrja i Qeverisë nuk guxon të jetë selektiv dhe ndihma financiare për mbulimin e borxheve nuk duhet të jenë për vetëm një furnizues. Pagesa e borxheve të ndërmarrjeve publike do të thotë edhe përgjegjësi ndaj qytetarëve të cilët prej tyre i marrin këto shërbime.”- thanë nga Energy Delivery Solution.
Dje EVN për shkak të faturave të papaguara ua shkyçi rrymën “Hekurudhave-Transport” dhe QTQ-së për shkak të borxhit të madh papaguar. Reaguan nga Qeveria se janë siguruar mjete nga Buxheti për pagesën e borxhit, pas çka përsëri u kyçën në rrjetin e energjisë elektrike.
