Mbi 4 mijë fëmijë janë vaksinuar me Fajzer, vaksina ka mjaftueshëm, pikat e vaksinimit do të punojnë edhe të shtunën

TË FUNDIT

Masat e reja shtrënguese e frika nga infektimi me virusin korona, vazhdon t’i mbajë përplot pikat e vaksinimit në vend. Qytetarët presin me orë të tëra për t’u vaksinuar. Për ta tejkaluar rrëmujën ne pikën e vaksinimit në Çair, Demir Aliu, bashkë me gruan ka ardhur në vaksinohet ne Poliklinikën “Bukuresht” në Karposh.

“Pse vendosët të vaksinoheni? Shëndeti së pari pastaj edhe për shkak restrikcioneve. Po me Fajzer do të vaksinohem këtu e kam shënuar. Unë udhëtoj shpesh në Evropë dhe kjo vaksinë njihet si “evropiane””.

Në radhë mund të vëreheshin një numër i madh i të rinjve qe kishin vendosur të vaksinohen.

“-Si po ndjeheni?
-Super.
-Keni marrë dozën e parë?
-Po dozën e parë.
-Me cilën vaksinë?
-Me Fajzer. Po duhet të vaksinohemi që të mbrohemi”.

Në këtë pikë të vaksinimit qytetarët ishin të ndarë në dy radhë. Në njërën presin qytetarët për dozën e parë, në tjetrën për dozën e dytë.

“-Dozën e dytë.
-Si po ndjeheni?
-Mirë.
-Pse vendosët për t’u vaksinuar?
-E kemi patjetër të vaksinohemi”.

Nga Ministria e Shëndetësisë informojnë se është rritur dukshëm numri i qytetarëve të interesuar për vaksinim. Deri më tani, 571.392 qytetarë kanë marrë vaksinën, ndërsa 462.192 janë rivaksinuar, pra gjithsej janë aplikuar 1.033.584 doza. Prej tyre, 4,025 janë fëmijë prej moshës 12 deri 18, që kanë pranuar Fajzer.

“Vaksina ka mjaftueshëm. Gjithsej 200 mijë vaksina të destinuara për dozën e parë nga prodhuesit Sinovak, AstraZeneka dhe Fajzer. Të gjithë janë me afat, nuk ka vaksina me afat të skaduar. Gjithsej 4025 fëmijë prej moshës 12 deri 18 vjeçare janë vaksinuar.
12 vjeç 52 të vaksinuar
13 vjeç 131 të vaskinuar
14 vjeç 133 të vaksinuar
15 vjeç 291 të vaksinuar
16 vjeç 534 të vaksinuar
17 vjeç 1081 të vaksinuar
18 vjeç 1803 të vaksinuar”, njoftuan nga Ministria e Shëndetësisë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, të paktën një dozë të vaksinës e kanë marrë 67% të popullsisë mbi moshën 70 vjeç, 64% mbi moshën 65 vjeç, 60% mbi moshën 60 vjeç dhe 50 për qind të popullsisë mbi moshën 50 vjeç.