Mbi 30 persona të lënduar nga stuhia në Shkup janë trajtuar në spitalin “Shën Naumi i Ohrit” dhe në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”

TË FUNDIT

Në Klinikën Universitare për Sëmundje Kirurgjike “Shën Naumi i Ohrit”, ndihmë pas stuhisë së djeshme kanë kërkuar 22 pacientë, prej të cilëve dy janë mbajtur për trajtim spitalor. Ndërsa në Klinikën Universitare për Traumatologji, Sëmundje Ortopedike, Anestezi, Reanimacion, Mjekim Intensiv dhe Qendër Urgjente (TOARILUC), janë paraqitur 11 persona, prej të cilëve tre me fraktura më serioze.

“Prej 22 pacientëve në ‘Shën Naumi i Ohrit’, dy janë pranuar për trajtim spitalor, ndërsa të tjerët janë trajtuar në mënyrë klinike me lëndime më të lehta. Njëri pacient është operuar gjatë orëve të natës për shkak të një frakture në zonën e dorës. Ka edhe një pacient tjetër, shtetas i huaj, turist, i cili është lënduar nga rënia e një peme në pjesën e legenit, por nuk ka pasur nevojë për ndërhyrje kirurgjikale, pra bëhet fjalë për trajtim konsultativ”, deklaroi drejtori i spitalit „Shën Naumi i Ohrit“, Nebojsha Nastov, pas vënies në përdorim të repartit të rikonstruktuar të traumatologjisë.

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, tha se po monitorohen dëmet në institucionet shëndetësore dhe se pas vlerësimit të dëmeve nga kompanitë e sigurimit, do të fillojë riparimi i konstruksioneve të çative.

“Ka pasur pemë të rrëzuara edhe në Qendrën Klinike ‘Nënë Tereza’, por pa persona të lënduar. Edhe në Spitalin Psikiatrik në Bardovcë nuk ka pasur të lënduar. Atje pati edhe ndërprerje disaorëshe të energjisë elektrike, e cila tashmë është eliminuar. Ka dëme të konsiderueshme edhe në konstruksionin e çatisë së Spitalit Klinik në Shtip. Falë ndërhyrjes së shpejtë të kryetarit të komunës, Ivan Jordanov, dhe drejtorit të spitalit, dëmet tashmë janë sanear dhe po punohet për vlerësimin e tyre. Ka dëme edhe në konstruksionin e çatisë së GOSh ‘8 Shtatori’. Si Spitali Klinik ashtu edhe GOSh ‘8 Shtatori’ janë të siguruara, prandaj kompanitë e sigurimit tashmë po punojnë në vlerësimin e dëmeve dhe menjëherë pas kësaj do të ndërmerren masat për të siguruar funksionimin pa pengesa të spitaleve”, deklaroi Klekovski.