Të hutuar, të frikësuar dhe me sy të përlotur. Kryesisht gra dhe fëmijë.
Numri i refugjatëve nga Ukraina vazhdimisht po rritet. Gjithnjë e më shumë shihen në kufirin me Rumaninë. Sipas mediave botërore, vetëm në këtë shtet që nga fillimi i agresionit rus kanë arritur 150 mijë refugjatë.
“Kur i thashë nënës se do të shkoj për ta shpëtuar jetën time, nëna ime qante dhe më tha se ndoshta kurrë nuk do të më shohë më. Këto ishin fjalët më të tmerrshme që i kam dëgjuar në jetën time. Ende po frikësohem se nuk do ta shoh më”, tha ky refugjat nga Ukraina.
Ky është vetëm një nga 1 milion njerëzit që tashmë e kanë lëshuar Ukrainën pas pushtimit rus.
Ka edhe skena plot emocion. Anëtarët e familjeve përsëri u bashkuan ndërsa disa të tjerë qanin për shkak se ishin ndarë nga të afërmit e tyre.
“Shpresoj se së shpejti do t’i mposhtim. Lufta do të mbarojë dhe përsëri të kthehemi në shtëpi”, u shpreh refugjati.
Aktivistët humanitarë janë stacionuar në Rumani afër kufirit, për të siguruar ushqim, veshmbathje dhe mbështetje për ata që kanë ardhur. Sipas agjencisë së KB-së për refugjatë, mbi 2% e popullsisë së Ukrainës janë detyruar ta lëshojnë vendin brenda një jave. Vlerësohet se nëse vazhdon agresioni rus, numri i refugjatëve mund të arrijë 4 milionë, ndërsa 12 milionë ukrainasve do t’u duhet ndihmë dhe mbrojtje në Ukrainë./TV21
