Mbi 1.5 milionë pelegrinë kanë mbërritur në Mekë për haxh

TË FUNDIT

Haxhi vjetor – një nga pesë shtyllat e islamit, ka nisur zyrtarisht sot në kushte të armëpushimit të paqëndrueshëm në luftën me Iranin dhe tensioneve e pasigurisë së shtuar rajonale.

Më shumë se 1.5 milionë pelegrinë kanë mbërritur në Arabinë Saudite, njoftoi përgjegjësi për haxhin, Saleh bin Saad al Muraba.

Haxhi është një nga pesë shtyllat e islamit dhe çdo mysliman që ka mundësi duhet ta kryejë të paktën një herë në jetë. Ai përfshin një sërë ritualesh që zhvillohen për të paktën katër ditë në Mekë dhe rrethinat e saj, në pjesën perëndimore të Arabisë Saudite.

Zakonisht, ditën e parë shumë pelegrinë në Mekë mblidhen në një kamp të madh me çadra në shkretëtirën pranë qytetit. Më herët, pelegrinët në temperatura të larta silleshin rreth Qabesë, ndërtesës në formë kubeje e vendosur në Xhaminë e Madhe.

Disa besimtarë prej vitesh shpresojnë dhe luten që një ditë të mund ta kryejnë haxhin, kursejnë para dhe presin leje për udhëtim.

Të ekspozuar ndaj vapës së madhe gjatë kryerjes së ritualeve fetare, shumë pelegrinë përdornin çadra për t’u mbrojtur nga dielli dhe mbanin ventilatorë dore. Vullnetarët shpërndanin shishe me ujë, ndërsa ventilatorë të mëdhenj spërkatnin pika uji për freskim.

Para nisjes së udhëtimit, një pjesë e pelegrinëve deklaruan se mbështeten në besimin e tyre pavarësisht tensioneve në rajon dhe se ndjejnë mirënjohje të madhe që kanë mundësi ta realizojnë këtë udhëtim.

Nesër, që konsiderohet kulmi i haxhit, besimtarët do të mblidhen për lutje në malin Arafat, ku profeti Muhamed mbajti predikimin e tij të fundit.

Haxhi mbledh një numër të madh myslimanësh nga raca, prejardhje etnike, gjuhë dhe shtresa ekonomike të ndryshme, duke krijuar ndjenjë uniteti tek shumë prej tyre.

Për shkak të pasigurisë globale dhe rreziqeve të sigurisë, autoritetet në Indonezi – vendi me popullsinë më të madhe myslimane në botë – para fillimit të sezonit të haxhit vunë theks te planet e sigurisë dhe publikuan udhëzime që kostot shtesë të udhëtimit të mos bien mbi vetë pelegrinët indonezianë.

Në Indi, ku jeton një pakicë e madhe myslimane, përgatitjet për haxhin janë zhvilluar kryesisht normalisht, por çmimet e larta të karburanteve të shkaktuara nga lufta me Iranin kanë rritur shpenzimet e udhëtimit për pelegrinët.