Nga Prokuroria Themelore njoftojnë se kanë dorëzuar kërkesë deri në gjykatë që t’i caktohet masa e paraburgimit u.d. drejtor i Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale” Shkup, Sabahudin Rustemi dhe Aki Saitit, udhëheqës për menaxhim të mbeturinave pranë të njëjtës ndërmarrje, përcjell TV21. Nga Prokuroria thonë se të njëjtit dyshohen për veprën penale “Rrezikim i mjedisit jetësor dhe natyrës me mbeturinat”, që dënohet sipas Nenit 230, paragrafi 1 i Kodit Penal.
“Të dyshuarit, njëri në cilësinë e drejtorit të përkohshëm dhe tjetri si menaxher për mbeturinat në NP Higjiena Komunale Shkup vepruan në kundërshtim me Ligjin për menaxhimin e mbeturinave dhe detyrat e tyre për mbledhjen dhe transportimin e rregullt të mbeturinave jo të dëmshme në territorin e Qytetit të Shkupit, si dhe me detyrimet e parashikuara në Programin Operativ për mbledhjen dhe transportimin e mbeturinave komunale dhe Planin Operativ për mirëmbajtjen e pastërtisë publike. Për shkak të mungesës së mbikëqyrjes së plotë mbi mbledhjen dhe transportimin e mbeturinave, si dhe për shkak të menaxhimit jo të rregullt të tyre, gjatë këtij muaji u krijuan deponi të vogla në hapësira publike dhe rrugore, pranë kontejnerëve të parashikuara për mbledhjen e mbeturinave, duke shkaktuar dëmtime të konsiderueshme të cilësisë së tokës, ajrit dhe ujit dhe duke rrezikuar jetën dhe shëndetin e njerëzve për shkak të mundësisë së përhapjes së sëmundjeve infektive ose të tjera. Këto dyshime u konfirmuan përmes inspektimeve të jashtëzakonshme nga inspektorët lokalë të mjedisit, të udhëhequr nga Prokuroria, si dhe përmes vlerësimeve ekspertësh mbi ndikimin e mbeturinave në shëndetin publik dhe rrezikun e përhapjes së sëmundjeve infektive, të përgatitura nga Instituti i Shëndetit Publik të RMV-së”, thonë mes tjerash nga Prokuroria.


