Ministria e Ekonomisë dhe Punës me rreth 185.000 euro do t’i stimulojë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, si dhe zejtarët, përcjell TV21. Thirrja publike është tashmë e hapur dhe zgjat deri në fund të qershorit. Qëllimi është t’u ndihmohet kompanive vendore më lehtë të investojnë në modernizimin e prodhimit, të rrisin produktivitetin dhe të krijojnë kushte më të mira pune.
“Me këtë masë do të bashkëfinancohen dyzet për qind të shpenzimeve të dëshmuara për blerjen e makinave dhe mjeteve të reja, por jo më shumë se 200.000 denarë për aplikues. Mbështetja ka të bëjë me investime të realizuara gjatë viteve 2025 dhe 2026. Të drejtë pjesëmarrjeje kanë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme me kapital shumicë vendor, si dhe zejtarët e regjistruar sipas dispozitave ligjore”, u shpreh Besar Durmishi – ministër i Ekonomisë dhe Punës .
