Mbështetje financiare nga Evropa për policinë dhe shërbimet e sigurisë

TË FUNDIT

900 mije euro do të shpenzohen për mbështetjen e punës së policisë dhe agjencive të zbulimit, që kanë të bëjnë me përgjimin e komunikimeve. Vendoset sistem modern për mbledhjen e informatave dhe analizave për luftën kundër krimit të organizuar. Ky është projekti i ri, i cili në 24 muajt e ardhshëm do të realizohet në bashkëpunim ndërmjet MPB-së të Maqedonisë dhe Shërbimeve Federale të Austrisë.

“Një nga rekomandimet, në raportin e fundit të z. Pribe, është që përcjellja e komunikimeve për hetime kriminale dhe monitorimi për qëllime të sigurisë duhen të konsiderohen si të ndara dhe në atë mënyrë të rregullohen. Përgjegjësitë që kanë të bëjnë me parandalimin e krimit dhe zbulimit e saj duhet rreptësisht të jenë nën kontroll”, vlerësoi përfaaqësuesi i BE-së, Martin Klauke. Sipas tij, ky projekt duhet ta parandalojë krimin dhe t’i ruajë të drejtat themelore të qytetarëve. Siç theksoi Klauke, fakti që brengos është se agjencitë për zbulim mund t’i keqpërdorin të drejtat e qytetarëve, duke dhënë informata shumë konfidenciale. Projekti i ri duhet ta mundësojë përmirësimin e besimit ndaj policisë dhe të garantojë stabilitet të brendshëm, tha Klauke.

Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Mitko Çavkov, tha se nevoja për projektin është rezultat i metodave të sofistikuara për kryerjen e veprave penale dhe përpjekjeve të keqbërësve të shpëtojnë nga ligji. “Ndryshimet shoqërore kanë imponuar nevojën për ndryshimet e domosdoshme në zbatimin e ligjit, si një përgjigje e përshtatshme kundër metodave të sofistikuara të kryerjes së veprave penale dhe përpjekjeve të keqbërësve të shpëtojnë nga ligji”, tha Çavkov.

Projekti duhet të paraqesë një metodë të ri për zgjidhjen e problemeve, të cilat ndikojnë komunitetet, ndërsa elementi kyç do të jetë gjetja e një bilanci ndërmjet sigurisë dhe lirisë.

Vesna Jaqimovska