Të enjten paradite, u mbajt në Astana të Kazakistanit , Takimi i 24-t i Këshillit të Krerëve të Shteteve të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh) .
Takimin e drejtoi presidenti i Kazakistanit, vendi kryetar i radhës i OBSh-së, Kassym-Jomart Tokayev.
Udhëheqësit pjesëmarrës vlerësuan aktivisht rolin konstruktiv të OBSh-së në mbrojtjen e paqes e të sigurisë rajonale dhe u shprehën se do të forcojnë shkëmbimet e bashkëpunimin në fushën e tregtisë, transportit, energjisë, financave, bujqësisë, ekonomisë digjitale, inovacionit tekniko-shkencor, arsimit, kulturës, turizmit, rinisë etj. Ata ishin të mendimit se, me ndryshimin e situatës politike e ekonomike botërore dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, OKB-ja duhet të luajë një rol koordinues për të promovuar krijimin e një sistemi botëror më përfaqësues, më demokratik e më të drejtë shumëpolar dhe globalizimin ekonomik.
Në fjalimin e mbajtur në takim, presidenti kinez Xi Jinping vlerësoi lart përpjekjet dhe kontributin e Kazakistanit gjatë mandatit si vend kryetar për promovimin dhe përmirësimin e sistemit të funksionimit të OBSh-së dhe thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat.
Xi vuri në dukje më tej se tani situata ndërkombëtare po ndryshon shpejt dhe shoqëria njerëzore qëndron sërish në udhëkryqin e historisë. OBSh-ja qëndron gjithmonë në anën e barazisë e të drejtësisë dhe kjo ka rëndësi të madhe për botën.
Udhëheqësit e shteteve anëtare nënshkruan dhe publikuan gjithashtu “Deklaratën e Astanasë të Këshillit të Krerëve të Shteteve të OBSh-së.
