Matura Shtetërore rrezikon të mbahet më 27 maj. Takimi i djeshëm mes sindikalistëve dhe zv.kryeministrit për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi ka përfunduar pa sukses. Nga sindikata thonë se greva do të vazhdojë edhe më tej dhe nuk do të veprojnë derisa nuk u ofrohet ajo që kërkojnë. Emilija Boshkovska, kryetare e sindikatës, thotë se në takim u është ofruar paga K-15-të, gjë që u takon me ligj por nuk e kanë marrë deri më sot, si dhe rritje lineare e pagës minimale prej 2000 denarëve për gjysmën e të punësuarve.
“Na është ofruar konkretisht K-15, gjë që na takon me ligj dhe të cilin deri tani në mënyrë joligjore na pengonin ta marim. E dyta që na u ofrua është rritje lineare gjë që gjithashtu duheshte të realizohet dhe të mos jetë pjesë e bisedimeve. Lufta se çfarë më tej dhe si do të vijojnë punët nuk do të merni më përgjigje prej neve, ne do t’i ndërpresim këto deklarata. Të gjitha vendimet do t’i marin ministritë përkatëse”, tha Emilija Boshkovska – kryetare e Sindikatës pranë QPV.
Ministri i arsimit Jeton Shaqiri këmbëngulë që matura shtetërore doemos duhet të mbahet më 27 maj dhe nëse ka nevojë do të dërgojnë ekip përforcues për të përgatitur materialet.
“Unë do të pres të na dorëzojë kërkesë nëse ka nevojë për më tepër punëtorë, t’i japim përkohësisht nga Ministria e Arsimit vetëm për maturën shtetërore të realizohet më 24 maj i cili si datë, 27 maji më falni që si datë mund të ketë lëvizje por është shumë i rëndësishëm për nxënësit e shkollave të mesme sepse është i dakorduar në bisedimet e mëhershme me unionet e nxënësve”, deklaroi Jeton Shaqiri.
Lidhur me këtë ofertë Boshkovska tha se askush nga jashtë nuk guxon të futet në hapësirat e qendrës sepse ashtu dëmtohet besueshmëria e maturës.
“Me çdo hyrje të personave nga jashtë në hapësirat ku ndalohet hyrja. Madje një pjesë e këtyre që janë prezent nuk hyjnë. Kështu dëmtohet besueshmëria e maturës. Lirisht le të sjellin”, pohoi Emilija Boshkovska – kryetare e Sindikatës pranë QPV.
Tv21 kërkoi qëndrim nga Ministria e Financave lidhur me atë se a do të bëjnë përllogaritje të reja për të plotësuar nevojat e punëtorëve. Nga atje na thanë:
“Ministria e Financave lidhur me kërkesën e të punësuarve në QPSH për ndryshime të marrëveshjes kolektive, dërgoi propozim zgjidhje të cilat mundësojnë rritje të pagave të të punësuarve. Ofrohet zgjidhje me të cilën pagat e të punësuarve në Qendrën për Provim Shtetëror të harmonizohen me pagat e nëpunësve administrativ në përputhje me ligjin për nëpunësit administrativ dhe regullat ligjore në RMV”, thonë nga Ministria e Financave.
TV21 tentoi të merr përgjigje edhe nga zv.kryeministri Fatmir Bytyqi por nga atje na njoftuan që takimi ka qenë i mbyllur dhe nuk ka informacione lidhur me atë që është biseduar. Nga e gjithë kjo situatë, i pasigurtë mbetet realizimi i maturës shtetërore dhe maturantët të cilët duan të vazhdojnë studimet jashtë vendit, mund të ngelin pa regjistrim. Matura Shtetërore është paraparë të mbahet më 27 maj atëherë kur maturantët duhet të japin provimin në lëndën e gjuhës amtare.