MASH: Platforma nacionale në dispozicion për nxënësit dhe prindërit

TË FUNDIT

Ueb-faqja e Platformës së vetme nacionale për mësim onllajn nga mesnata është në dispozicion për shfrytëzuesit përmes adresës www.schools.mk. Me qëllim që të njoftohen me funksionet e saj para fillimit të vitit shkollor, Ministria e Arsimit dhe Shkencës iu bën thirrje nxënësve dhe prindërve, ta vizitojnë dhe të njoftohen me platformën gjatë fundjavës.

Në platformë tashmë janë vendosur video udhëzime dhe doracakë, por edhe përmbajtje të tjera, të cilat nëse ndiqen me sukses, në mënyrë të thjeshtë dhe të lehtë i udhëzojnë shfrytëzuesit përgjatë platformës, thonë nga MASH dhe theksojnë se në këtë proces i rëndësishëm është bashkëpunimi i fuqishëm në të gjitha nivelet dhe çdo ditë është e rëndësishme për fillim të suksesshëm të mësimit onllajn.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës tashmë dërgoi udhëzime për të gjitha shkollat që detyrimisht t’u dorëzohen fjalëkalimet nxënësve. Iu bëjnë thirrje drejtorëve të shkollave të cilët nuk e kanë bërë këtë, ta shpejtojnë procesin dhe t’u dërgojnë fjalëkalimet nxënësve gjatë fundjavës, sepse për disa ditë fillon zyrtarisht viti shkollor.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës iu bën thirrje edhe vetëqeverisjeve lokale dhe kryetarëve, të cilët, gjithashtu, janë partner i yni i rëndësishëm në këtë proces, në maksimum të përkushtohen në sigurimin e kushteve për fillim të papenguar të vitit shkollor në shkolla, pa dallim se a bëhet fjalë për prani fizike, ose për mësim nga distanca. Njëkohësisht, shfaqim falënderim të madh kryetarëve dhe të punësuarve në komuna, por edhe të gjithë arsimtarëve për përkushtimin në sigurimin e kushteve për mësim të papenguar në kohë pandemie. Prioriteti kryesor dhe i vetëm i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në këtë periudhë është që t’i tejkalojmë sfidat dhe me sukses ta fillojmë, por edhe përfundojmë vitin shkollor  2020/2021 edhe krahas asaj që përballemi me Kovid-19”, thuhet në kumtesën e MASH.