Deputetët e opozitës dolën me kritika dhe vërejtje për marrëveshjen e lidhur mes qeverisë së vendit dhe asaj të Mbretërisë së Bashkuar. Nga LSDM deklarojnë se, nga aspekti politik, mbështesin zhvillimin e partneritetit me Mbretërinë e Bashkuar, por shprehin dyshime lidhur me marrëveshjen prej 6 miliardë eurosh. Koordinatori i LSDM-së, Oliver Spasovski, tha se kjo marrëveshje është e pavlefshme, pasi në versionin anglisht figuron si e nënshkruar nga ‘zëvendës presidenti i shtetit’ – një funksion që nuk ekziston.
“Në versionin anglisht, marrëveshja është nënshkruar nga zëvendëspresidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Funksion i cili nuk ekziston në rendin kushtetues të Republikës së Maqedonisë. Në këtë mënyrë kemi pavlefshmëri të marrëveshjes, qoftë edhe marrëveshje ta quajmë – nuk mund të nënshkruani asnjë akt me një funksion që nuk ekziston”, tha Oliver Spasovski
Zëvendësministri për Punë të Jashtme dhe Tregti, Zoran Dimitrovski, tha se bëhet fjalë për një gabim teknik që do të korrigjohet.
“Sipas meje, nga ajo që arrita të vërej nga nënshkrimi, bëhet fjalë për një gabim teknik në versionin anglisht, jo edhe në atë maqedonisht i cili ka përkthim të përshtatshëm në anglisht, por thjesht në versionin anglisht. Këto çështje zgjidhen përmes shkëmbimit të notave dhe korrigjimit të gabimit teknik”, tha Zoran Dimitrovski.
Nga VMRO-DPMNE deklarojnë se me këtë marrëveshje do të realizohen projekte të shumta infrastrukturore të rëndësishme për shtetin.
“Kjo marrëveshje do t’i mundësojë Maqedonisë një pozicionim strategjik në rajon, zhvillim të infrastrukturës, shëndetësisë, energjetikës, shkencës, forcim të institucioneve. Maqedonia do të mund të ndërtojë hekurudhën përgjatë Korridorit 10 me dy linja hekurudhore – njëra do të jetë hekurudhë e shpejtë për trena mbi 160 km/h, dhe tjetra për transport mallrash”, deklaroi Nikolla Micevski.
Nga Fronti Evropian theksojnë se nuk janë kundër borxhit, por rëndësi kanë kushtet me të cilat lidhet marrëveshja.
“Ne nuk jemi kundër borxhit, respektivisht kundër huamarrjes si instrument ekonomik dhe financiar për zhvillimin e shtetit. Për ne më të rëndësishme janë kushtet me të cilat merret borxhi, dhe më e rëndësishmja është ku drejtohen ato mjete – nëse është e mundur t’i matim paraprakisht efektet që pritet të dalin nga ky borxh përmes instrumenteve ekonomike”, u shpreh Elmi Aziri.
Këtë marrëveshje, në emër të Qeverisë së Maqedonisë, e nënshkroi zëvendëskryeministri dhe ministri i transportit, Aleksandar Nikollovski, më 22 maj në Londër.
