Marrëveshja me Fronteksin që u nënshkrua në tetor të vitit të kaluar si marrëveshje e parë mes Maqedonisë dhe BE-së, duhej të ishte gjëja e parë që deputetët ta miratonin këtë vit. Pasi kaloi në komisionet kompetente në Kuvend, duhej të vendosej në rendin e ditës për t’u votuar në seancë plenare që pasi filloi, menjëherë u ndërpre për shkak se nuk kishte kuorum. Ministri i brendshëm Oliver Spasovski e shpjegoi këtë marrëveshje për të cilën tha se me këtë ligj në mënyrë operative do të mund të bashkëpunojnë MPB dhe Agjencia e rojës bregdetare dhe kufitare e Komisionit Europian.
“Derisa të zbatohet Marrëveshja me Fronteks, tashmë i dorëzuam letrat dhe vazhdon aksioni dypalësh që e kishim me disa shtete të BE-së nga rajoni, për sigurimin e kufirit tonë jugor ku kemi diku rreth 160 nëpunës policorë nga disa vende anëtare të BE-së dhe nga rajoni është Serbia, kështu që kjo do të jetë periudha kalimtare ku do të mundemi t’i mbarojmë të gjitha përgatitjet operative dhe përfundimisht të fillojë zbatimi i marrëveshjes.”- deklaroi Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.
Kryetari i Komisionit për politikë të jashtme, Antonio Milloshoski pyeti nëse Fronteks i prish marrëveshjet që i kemi me vendet e tjera për sigurimin e kufirit, ndërsa Spasovski iu përgjigj se nuk përjashtohen marrëveshjet dypalëshe.
“Parashtrohet pyetja nëse angazhimet dypalëshe të nëpunësve policorë dhe forcave të sigurisë nga Sllovenia, Hungaria, Çekia dhe shtet të tjera që janë angazhuar në kufirin jugor të Maqedonisë, do të thotë se me këtë Marrëveshje këto forca do të zëvendësohen me pjesëtarë të Fronteksit ose mbeten angazhimet dypalëshe dhe krahas asaj marrëveshjeje.”- deklaroi Antonio Milloshoski, Kryetar i Komisionit për Politikë të jashtme.
“Marrëveshja e lidhur me Fronteksin nuk i përjashton marrëveshjet dypalëshe që i kemi. Tani ne fillojmë një proces, do të thosha, të lidhjes së shtesave të marrëveshjeve aktuale, me qëllim që të rregullojmë çështje të caktuara. Tashmë theksova se deri në fund të 2023 do të ketë edhe mjete financiare edhe nëpunës policorë që do të marrin pjesë në aksionin dypalësh.”- pohoi Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.
Marrëveshja me Fronteksin duhej të nënshkruhej që në dhjetor 2015, por për shkak të bllokadës së Bullgarisë e cila ishte kundër formulimit të gjuhës maqedonase, u shty nënshkrimi i saj zyrtar. Marrëveshje u nënshkrua më 26 tetor të vitit të kaluar në Shkup në gjuhën maqedonase, ku mori pjesë edhe kryetarja e Komisionit Europian Ursula von der Lajen.
