Përfaqësuesit ndërkombëtarë vazhdojnë tentimet e tyre për t’i afruar qëndrimet e partive politike lidhur me detyrimet që dalin nga marrëveshja e Përzhinos. Nga burime diplomatike mësojmë se edhe gjatë vikendin kanë vazhduar takimet bilaterale mes partive dhe ndërkombëtarëve. Siç mësohet, takimet kanë zgjatur deri në orët e hershme të mëngjesit. Burimet diplomatike thonë se bisedimet po zhvillohen rreth përbërjes së qeverisë kalimtare, dhe se lidhur me këtë temë do të bisedohet edhe sot. Takimet i konfirmoi edhe Fatmir Besimi në emisionin “10 Minuta”.
Në pyetjen e gazetarit se a janë larguar dy partitë politike shqiptare më herët sepse dallimet kryesorë ekzistojnë mes dy partive, ai u pergjigj:
“Në atë kohë, domethënë, kanë përfunduar takimet, diskutimet apo bisedimet për arritjen e marrëveshjes, ndërsa pastaj kanë vazhduar subjektet politike në mënyrë bilaterale, ashtu edhe siç gjatë vikendit janë realizuar takime bilaterale me partitë politike, me qëllim që tejkalohen dallimet”.
Zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov, për TV 21 nëpërmjet telefonit mohoi se ka pasur takime mes zyrtarëve të partisë dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë. Ai tha se ata nuk janë kontaktuar nga askush, dhe theksoi se problemi me ngërçin në negociata nuk qëndron te LSDM , por tek partia në pushtet.
Nga VMRO-DPMNE nuk i konfirmojnë takimet , por as nuk i mohojnë, kurse nga PDSH nuk dhanë përgjigje.
Në prag të mbylljes së raportit të progresit nga Komisioni Evropian , Maqedonia rrezikon të humbë rekomandimin për fillimin e negociatave për anëtarësim, nëse nuk zbatohen detyrimet të dala nga marrëveshja e Përzhinos.
