Ministri i Drejtësisë Bojan Mariçiq e dënoi sjelljen brutale të policisë ndaj grupit të romëve dhe pret aksion të shpejtë dhe të vendosur në drejtim të sanksionimit të autorëve.
“Dënimi jonë është i sinqertë dhe i fuqishëm. Na vjen mirë që Sektori për kontroll të brendshëm dhe standarde profesionale në MPB i identifikon autorët në pajtim me videon dhe presim aksion të shpejtë dhe të vendosur në drejtim të sanksionimit të këtij rasti. Mendoj se as gjuha e urrejtjes, as dhuna ndaj cilit do qytetar, nuk mund të arsyetohet. Përkundrazi duhet të dënohet dhe të sanksionohet dhe jam i sigurt se sistematikisht do të reagojmë që kjo të mos ndodhë. Rasti është në duart e MPB-së dhe më tej në Prokurori dhe institucionet tjera”, deklaroi Mariçiq, duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve në konferencën e sotme për shtyp në Qeveri.
Paraprakisht, brutalitetin e nëpunësve policorë ndaj romëve, që u publikua në një video në rrjetet sociale, e dënoi edhe kryeministri Zoran Zaev.
“Një sjellje e tillë është e turpshme për policinë, e meriton dënimin i cili arriti nga opinioni”, ka shënuar Zaev në Fejsbuk.
