Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim të Maqedonisë, Ali Ahmeti, gjatë takimit me zëvendëskryeministrin Hashim Thaçi, ka deklaruar se nuk është qëndrim i Maqedonisë se kosovarët kanë kryer aktin në Gushincë por i ndonjë zyrtari individual. Megjithatë, ai shtoi se dy qeveritë duhet të shkëmbejnë informacione lidhur me këtë incident.
Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, tha se Kosova çmon rolin e Ahmetit për afirmimin e shqiptarëve në Maqedoni, komunitet ky që po kontribuon në shtet ndërtimin dhe integrimin e Maqedonisë.
Gjithashtu, Thaçi shtoi se një Maqedoni stabile dhe evropiane është në interesin e Kosovës dhe integrimit në BE.
Në anën tjetër, Ali Ahmeti tha se në këtë takim është munduar të informojë Thaçin me situatën politike në Maqedoni.
Ahmeti më tej tha se shqiptarët në Maqedoni nuk duan kriza të reja por jetësim të marrëveshjes së Ohrit dhe sa më shpejt të jenë të barabartë me maqedonasit është më mirë për të gjithë.
Ndërsa, sa i pëket dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ai thotë se gjithnjë ka qenë pro./21MEDIA
