Maqedonia shpreson, por jo edhe Bullgaria! Karakaçanov: Ka gjasa teorike, por jo edhe mundësi reale për Maqedoninë

TË FUNDIT

Vazhdon ofensiva diplomatike të Maqedonisë edhe krahas kritikave të vazhdueshme dhe përsëritjes së qëndrimit të Bullgarisë se nuk do të lëshojë pe nëse vendi ynë nuk i plotëson kërkesat të cilat, siç dihet, i prekin çështjen e identitetit. Ministri Osmani në video takimin me grupin e eurodeputetëve  “Miq të Maqedonisë së Veriut” tha se është i bindur për bashkëpunimin produktiv mes vendit tonë dhe Parlamentit evropian në rrugën  drejt fillimit të negociatave aderuese dhe integrimit të plotë të vendit tonë në shoqërinë evropiane.

“Maqedonia e Veriut do të vazhdojë me përpjekjet për të kërkuar zgjidhje të kuptimtë për tejkalimin e dallimeve me Bullgarinë dhe mbetet e përkushtuar në proceset reformuese dhe të gjithë segmentet që janë pjesë e prioriteteve tona euro-integruese. Ne ende vlerësojmë se ekzistojnë mundësi që të mbahet konferenca e parë ndër qeveritare në korniza të kryesimit gjerman, nëse e përdorim në mënyrë produktive periudhën para nesh”, pohoi Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme.

Në të njëjtën kohë edhe zv. Kryeministri për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov në konferencën online të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe rruga e tyre drejt BE, qartë ka porositur se gjuha nuk mund të jetë pengesë për miqësi.

“Nuk do të heqim dorë nga përpjekjet. Mbetemi të përkushtuar që të gjejmë zgjidhje, por vetëm në suaza të asaj që është e mundur. Ne jemi plotësisht të përkushtuar në obligimet që dalin nga Marrëveshja për fqinjësi të mirë, por nuk mund të flasim apo të negociojmë për gjuhën dhe identitetin. Gjuha nuk mund të jetë pengesë për miqësi, nëse ajo miqësi bazohet në respekt të ndërsjellët. Ne do të vazhdojmë t’i bindim fqinjët tanë në Sofje se kjo është ashtu”, shkruan Nikolla Dimitrov, zv/kryeministër për çështje evropiane.

Por përkundër porosive të tilla, nga Sofja përsëri me qëndrim se mundësitë që Maqedonia të fillojë negociatat janë të vogla.

“Siç thuhet – gara përfundoi atë ditë. Nga këtu e tutje ekziston mundësi teorike që deri në fund të vitit nëse Maqedonia është e gatshme, të vendoset përsëri në rend të ditës. Por kjo është teorikisht, në fund të fundit nuk ka mbetur as një muaj deri në fund të kryesimit gjerman. D.m.th. teorikisht është e mundur por realisht kjo nuk mund të ndodh”, tha Krasimir Karakaçanov, zv/kryesministër.

Ish ministri bullgar për punë të jashtme dhe ish euro deputeti, Ivajllo Kallfin, në intervistë për një portal bullgar thotë se Bullgaria shumë shpejtë duhet t’i ndërtojë raportet me Maqedoninë e Veriut në bazë të re, ndërsa shton se Sofja nuk duhej ta bllokojë vendin në procesin e negociatave me BE.