Mesazhet që i dërguan përfaqësuesit e shtetit në Ilindenin e sivjetshëm, kryesisht kishin për qëllim përmbushjen e obligimeve për përparim në rrugën europiane. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, i cili ishte në shënimin e 120 vjetorit të Kryengritjes së Ilindenit dhe Republikës së Krushevës, në fjalimin e tij në “Meçkin Kamen” tha se tani është koha për të marrë vendimin më të mirë për të ardhmen e shtetit. Duke arritur delegacioni qeveritar i kryesuar nga Xhaferi, u pritën me fishkëllima nga disa prej qytetarëve të pranishëm. Në shënimin e festës së madhe të Ilindenit, Xhaferi vendosi lule në varrin e Nikolla Karevit në “Makedonium” si dhe në monumentin e mbrojtësve të Republikës së Krushevës, monumentin e Heronjve të Slivës dhe mori pjesë në ceremoninë përkujtimore në kishën e Shën Nikollës.
“Ideja europiane e 120 viteve më parë nga Manifesti i Krushevës për liri, bashkim dhe prosperitet për të gjithë është tashmë e arritshme. Tani, siç besoj e dini, Republika e Maqedonisë së Veriut, qytetarët dhe para së gjithash faktorët politikë në vend janë para një vendimi tjetër të madh dhe vendimtar. A do të ecim përpara drejt integrimit euroatlantik të vendit, diçka që kemi vendosur ta bëjmë si shtet që nga pavarësia në 1991, apo do të ngecim në rrugën e verbër ballkanike që nuk na çon askund”, theksoi Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.
Në përkujtimin e seancës së parë shtetbërëse të KAÇKM-së, e cila u mbajt në Qendrën Memoriale në Pelincë afër Prohor Pçinskit, fjalim mbajti presidenti Stevo Pendarovski dhe kërkoi integrim më të shpejtë europian. Duke folur për pjesëmarrjen e madhe të të rinjve në luftën për çlirim dhe më pas në vetë seancën e KAÇKM-së, shefi i shtetit tha se tani na duhet një shtet europian që t’i mbajë të rinjtë në vend.
“Nga KAÇKM-i e deri më sot konfirmohet vetëm një e vërtetë. Është e vështirë të formohet shtet i lirë, por është edhe më e vështirë të ndërtohet dhe të mbahet një shoqëri e lirë dhe e drejtë. Janë reformat europiane ato që do të na ndihmojnë të realizojmë interesin tonë kombëtar, t’i motivojmë të rinjtë të qëndrojnë në vend dhe të përfshihen në ndërtimin e Maqedonie europiane. Prandaj, le t’i kapërcejmë dallimet pa prolongim, të bashkohemi rreth fillimit të menjëhershëm të negociatave, përndryshe do të humbim pjesën vitale të shoqërisë”, deklaroi Stevo Pendarovski, president i RMV-së.
Para përmendores në Kalanë e Shkupit e përkushtuar lirisë “Liri, lavdi, fitore” kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se vendimet e ilindenasve dhe anëtarëve të KAÇKM-së na obligojnë që të vazhdojmë përpara.
“Edhe sot Republika për vendim të ri shtetbërës për gjeneratën e sotme të përfaqësuesve të popullit, me shteti dhe qytetarët do të vazhdojnë rrugën e planifikuar të progresit. Edhe sot duhet t’i drejtohemi trashëgimisë që na kanë lënë Ilindenasit dhe anëtarët e KAÇKM-së. Edhe pse historia e mëparshme e vlerësoi ngritjen e kryengritjes së Illidenit si të parakohshme, sot e njëjta shihet si e pashmangshme dhe e nevojshme. Falë kësaj, ne sot kemi vendin tonë, shtetin tonë unik maqedonas”, theksoi Dimitar Kovaçevski, krymeinistër.
Mesazhe për festën e Ilindenit dërgoi edhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i cili ishte në Meçkin Kamen para fillimit të manifestimit zyrtar. Ai tha se Ilindeni është themeli dhe prijësi i Maqedonisë, por nuk munguan as kritikat për krerët shtetëror.
“Edhe sot populli maqedonas, qytetarët në Maqedoni tregojnë rezistencë dhe e dinë për çfarë po luftojnë, ndërsa po luftojnë për identitetin e tyre, shtetin e tyre. Sot nga përfaqësuesit e pushtetit do të dëgjoni shumë , por derisa i japin deklarata para mediave ta dini se nën tavolinë po dakordojnë që në mënyrë shtesë të ndajnë identitetin maqedonas”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Për nder të ditës së sotme, delegacione shtetërore dhe partiake vendosën lule para përmendores së KAÇKM-së te parku “Gruaja luftëtare” në Shkup si dhe para përmendores së Çentos në sheshin e qytetit.
