Maqedonia po tkurret/ Nëse trendi vazhdon, në 2070-tën do të ketë vetëm 1.3 milionë banorë

TË FUNDIT

Maqedonia e Veriut po tkurret për nga numri i popullsisë. Nëse trendi nuk ndryshon parashikimet janë se deri në vitin 2070 popullsia do të ulet në 1.3 milion banorë. Këto janë parashikime të Entit të Statistikave, drejtori i së cilës, Apostoll Simovski, shprehet se ka mungesë të fuqisë punëtore për shkak të emigrimit.

“Ne, me ikjen e popullsisë humbasim potencialin e punës, ne tashmë kemi mungesë të fuqisë punëtore, tashmë importojmë fuqi punëtore. Ky proces do të ndodhë, deshëm ne apo jo. Duke e ditur që kemi nevojë për një punë të këtillë, mund të krijojmë politika se çfarë duam, duam këto profesione, ato profesione, njerëz të kësaj moshe, kështu të arsimuar dhe ngjashëm.”- deklaroi Apostol Simoski, drejtor i ESHS.

Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi thotë se zgjidhja qëndron në sjelljen e ndryshimeve dhe vendimeve sistematike, të cilat sjellin parashikueshmëri dhe qëndrueshmëri pavarësisht vullnetit politik.

“Zgjidhja qëndron në inkurajimin dhe krijimin e kushteve dhe hapësirës për realizimin e këtyre potencialeve. Le të krijojmë një shoqëri në të cilën të gjithë kontribuojnë me veçantinë e tyre. Gratë, grupet e margjinalizuara, të rinjtë, të moshuarit, emigrantët, personat me aftësi të kufizuara. Të jesh i hapur ndaj mundësive dhe të mos kesh frikë nga ndryshimi dhe diversiteti. Kjo nënkupton ndërtimin e një shteti më gjithëpërfshirës dhe më të hapur.”- tha Fatmir Bytyqi Zëvnednëskryemnistër Për Çështje Ekonomike.

Sipas të dhënave, në 20 vitet e fundit, mesatarisht në vit janë shpërngulur rreth 12,000 njerëz, gjersa paralajmërohet se rënia e natalitetit do të ndikojë dukshëm në plakjen e popullatës.