MAQEDONIA PLANIFIKON NDIHMË PËR NOTRE DAMIN, SHUMË OBJEKTE TONA JANË LËNË NË HARRESË

TË FUNDIT

Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut do të komunikojë me Ministrinë e Jashtme të Francës për ta pyetur nëse kanë nevojë për mbështetje dhe ndihmë në rindërtimin e Katedrales së djegur të Notre Damit.  Kjo u vendos mbrëmë në seancë qeveritare, ndërsa ende nuk dihet se në ç ‘formë dhe mënyrë do të jepet mbështetje Francës.

“Ne së pari shprehim nderim dhe pastaj edhe dëshirë që nëse ka nevojë dhe nëse kemi kapacitete për segmente të caktuara, ndërsa kemi, më besoni do të befasoheni për disa punë, kur ta konfirmojmë do t’iu informojmë. Për momentin nuk mund t’ju tregoj çfarë dhe si, kuptohet kjo o të jetë në pajtim me informacionin që do e marri nga Franca”, potencoi zëdhënësi i qeverisë, Mile Boshnjakovski.

Nga Kabineti i Nikolla Dimitrovit na thanë se tashmë janë në konsultime me Ministrinë e Jashtme të Francës se çfarë ndihme u duhet atyre. E ndonëse ende nuk dihet se ç ‘lloj mbështetjeje mund të jepet për Notre Damin, e pyetëm Ministrin e Kulturës nëse e sheh të arsyeshme që Qeveria të ndanë para për Katedralen në kohë kur objekte të trashëgimisë tonë kulturore në shumë raste presin fonde të “USAIDI-it”, “Tika-s” ose organizatave të tjera për t’u restauruar.

“Është vendim i qeverisë me përkrahje simbolike me qëllim që të tregojmë se jemi në anën e duhur të kohës. Është vlerë botërore, vlerë e trashëgimisë kulturore botërore dhe ne në formë simbolike do ta përkrahim restaurimin e saj, ose çfarëdo ndihme tjetër që ne me kapacitete tona do t kemi mundësi”, deklaroi Ministri i Kulturës Asaf Ademi.

Ademi thotë se çdo vit edhe shteti ndanë mjete për objektet e trashëgimisë kulturore, por Ministria nuk refuzon as fondet që vijnë nga të huajt. Për 2019 Ministria e Kulturës ka ndarë rreth 5 milion e 900 mijë euro për mbrojtje të trashëgimisë kulturore. Megjithatë ende shumë objekte janë lënë në harresë, e që presin radhën për t’u restauruar e konservuar, ndër të cilat kujtojmë:

Xhaminë “Koxha Memmet Bej” në Kumanovë që daton nga viti 1380-të.

Kishën “Shën Anastasi” në fshatin Varosh.

Xhaminë “Koxha Kadisë” në Manastir.

Xhaminë e “Husamedin Pashës” në Shtip që daton nga shekulli i 16-të.

Xhaminë e Çarshisë në Prilep, e vitit 1475.

Ose Manastirin e “Shën Arhangell Mihajllit” afër Velesit, i cili nga viti 1981 është shpallur monument kulture

Ndërkaq kujtojmë se me mbështetje të Agjencisë turke për Bashkëpunim dhe Koordinim – TIKA, deri më tani janë restauruar ose janë në proces e sipër disa xhami, si ajo e Hajdar Kadisë në Manastir, Allaxha në Shkup, Xhamia Sulltan Murat dhe Kulla e Sahatit në Shkup si dhe xhamia në Saraj. Muaj më parë USAID-i amerikan me 89 mijë dollarë ndihmoi në konservimin e qendrës arkeologjike Stobi.

Përgatiti: Besir Arifi