Maqedonia nuk do ta njohë referendumin rus! Osmani: Precedenti i këtillë i vë në rrezik vendet e vogla

TË FUNDIT

Maqedonia nuk do ta njohë referendumin rus për anektimin e pjesëve të Ukrainës me Rusinë. Këtë e tha ministri i jashtëm Bujar Osmani i cili theksoi se kjo është shkelje klasike e së drejtës ndërkombëtare dhe nëse pranohet një precedent i këtillë, vihen në rrezik vendet e vogla siç është Maqedonia. Sipas tij është e palejueshme që pjesë e qytetarëve maqedonas e arsyetojnë pushtimin rus ndaj Ukrainës.

“Po them se qëndrimi i qartë i Republikës së Maqedonisë së Veriut është se këto janë referendume manipuluese që kanë për qëllim që të krijojnë alibi të rrejshëm për anketimin e territoreve të okupuara të shteteve fqinje dhe ne nuk do të njohim referendume të këtilla. Shkelja e principeve të së drejtës ndërkombëtare e vënë botën në rrezik nga lufta të reja, konflikte të reja, qasje të reja ku shtetet e mëdha i sulmojnë dhe anektojnë shtetet më të vogla, andaj është shumë e rëndësishme që Ukraina të dalë si fituese prej kësaj lufte”, tha Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme.

Osmani e shprehu shqetësimin e tij që debati për armën bërthamore është gjithnjë  më i shpeshtë duke u bërë pjesë e diskursit të përditshëm politik.

“Vetë fakti që përmendet lufta bërthamore gjatë shkëmbimit të qëndrimeve politike, kjo paraqet tejkalimi i barrierës psikologjike që nuk mund të tejkalohej gjatë dekadave të fundit, që na sjell një hap më afër mundësisë së tillë dhe kuptohet se kjo duhet ta ndezë alarmin te të gjithë ne”, deklaroi Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme.

Për marrëdhëniet me Rusinë dhe kontaktet me Ambasadën ruse në vend, Osmani tha se nuk kemi komunikim politik dhe se nuk ka pasur takim me ambasadorin rus. Osmani këto vlerësimet i prezantoi pas kthimit nga Nju Jorku ku u mbajt Kuvendi i përgjithshëm i Kombeve të bashkuara ku tema kryesore e debateve ishin sfidat me të cilat po ballafaqohet bota pas pushtimit rus ndaj Ukrainës.