Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ulën tarifat doganore nga 33% në 15% për Maqedoninë. Me këtë, vendi u barazua me tarifat e aplikuara për të gjithë Bashkimin Evropian. Megjithatë, kryeministri Hristijan Mickoski beson se ky nuk është përfundimi i negociatave me administratën amerikane.
“Ne vazhdojmë të negociojmë dhe jam optimist që do të shkojmë edhe më poshtë”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Kryeministri Mickoski pret që negociatat të vazhdojnë pas datës 15 gusht, kur përfundojnë pushimet e administratës amerikane dhe asaj të Maqedonisë. Drejtori i Doganës, Boban Nikollovski, thotë se tarifat nuk pritet të kenë ndikim negativ në ekonominë vendore.
BOBAN NIKOLOVSKI, DREJTOR I DREJTORISË SË DOGANAVE
-Nuk pres që të jetë një goditje. Mendoj se do të mbetet në një nivel relativisht të njëjtë. Më herët kemi bërë analiza dhe kemi dhënë mendim në Ministrinë e Financave për pikat që na u kërkuan, dhe treguam se sa mund të jenë humbjet nëse shkojmë me zero tarifa ndaj Shteteve të Bashkuara, ose anasjelltas – tani që ata kanë 15% ndaj nesh. Kjo nuk është përfundimtare, por mendoj se nuk do të ketë ndonjë tronditje të madhe.
Maqedonia eksporton në SHBA kryesisht automjete motorike dhe të specializuara, ndërsa importohen kryesisht produkte të specializuara. Megjithatë, pavarësisht tarifave të vendosura nga administrata amerikane, kompanitë e Maqedonisë në pesë muajt e parë të vitit 2025 kanë eksportuar më shumë sesa është importuar në vend. Pas deficitit prej mbi 77 milionë dollarësh që kishim vitin e kaluar, për pesë muajt e parë të këtij viti kemi suficit prej 24 milionë dollarësh – që do të thotë se, pavarësisht tarifave, kemi rritur eksportin. Për befasi, në vendimin e ri të Trampit, më keq e ka pësuar Zvicra, me 39% tarifa doganore.