“Maqedonia mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO”, Osmani këshillon Qeverinë e Kosovës

TË FUNDIT

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në ClickPlus në TV21 tha se Maqedonia e Veriut mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO. Osmani theksoi se përveç NATO-s, RMV-ja ofron mbështetje për faktorizim të Kosovës në çdo sferë ndërkombëtare.

“Absolutisht ne përkrahim anëtarësimin e Kosovës në NATO, Kombet e Bashkuara, në BE. Etablimin ndërkombëtarë të Republikës së Kosovës. Pa asnjë dyshim. Ne jemi të gatshëm Kosovës t’i ndihmojmë në plotësimin e kritereve për anëtarësim në NATO”, deklaroi mes tjerash Osmani.

Ministri Osmani tha se ka këshilluar Qeverinë e Kosovës që mos të izolohen në komunikimin me Serbinë.

“Prandaj thash, u kam thënë mos e bëni gabimin e raportit tonë me Greqinë. Kosova është shtet i pavarur i cili ka drejtë të vendos për mënyrën e vetë të komunikimit me këdo për participimin në çfarëdo organizate rajonale”, deklaroi Osmani.