Futbollistët e Maqedonisë se Veriut po zhvillojnë stërvitjen e fundit para ndeshjes së dytë të KE përballë Ukrainës. Ata janë gati për të zbritur sërish në fushë, por tani presioni është akoma më i madh shkaku i humbjes së parë me Austrinë.
“Pas nesh është ndeshja me Austrinë, kemi marrë mësimet pozitive. Tani na pret ndeshja me Ukrainën që është një lloj finale për ne në këtë Kampionat Evropian. Ne erdhëm në EURO2020 me qëllim që të plasohemi në raundin e dytë dhe ky qëllim i ynë mbetet. Nuk heqim dorë nga kjo dhe sigurisht fokusohemi. Ndeshja e nesërme është e rëndësishme për të dy reprezentacionet, e dimë se ai që fiton shkon në raundin e ardhshëm. Nuk ndjejmë presion por përkundrazi motiv për lojë cilësore dhe rezultat pozitiv”, deklaroi Igor Angellovski.
“Mendoj se mirë i analizuam dhe jemi të gatshëm për lojë me dëshirë për rezultat pozitiv. Kjo është ndeshje e madhe dhe sigurisht nuk ka as kohë as hapësirë për dëshpërim apo për tu kthyer mbrapa pas disfatës nga Austria. Nuk kemi ardhur këtu si turistë, përkundrazi janë bërë analiza, tani na presin edhe dy ndeshje dhe jemi të gatshëm tu përgjigjemi maksimalisht sfidave të ardhshme që të vijmë deri te qëllimi me të cilin udhëtuam në këtë Kampionat evropian”, tha Stefan Ristovski.
Skuadra nuk ka më çfarë të humbë. Maqedonia e Veriut duhet të gjejë mënyrë se si ta fitojë Ukrainën. Në fakt edhe me barazim matematikisht gjasat për t’i kaluar grupet mbeten, por teorikisht në ndeshjen e fundit me Holandën do te jetë shumë e vështirë.
Ndeshja Maqedoni e Veriut-Ukrainë do të zhvillohet të enjten ne orën 15:00 në stadiumin Arena Kombëtare të Bukureshtit.
