Maqedonia feston dy Ilindenët, Siljanovska: Jemi bij të vizionit të Goces për Europë të bashkuar

TË FUNDIT

Festa qendrore e Ilindenit u mbajt në “Meçkin Kamen”, ku ishte presidentja Gordana Siljanovska Davkova, e cila fillimisht vendosi lule te varri i Nikolla Karevit. Në fjalimin e saj tha se, si popull trim dhe paqedashës, gjithmonë kemi qenë në anën e lirisë, të antifashizmit dhe se jemi pasardhës të vizionit të Goces.

“Ne nuk jemi trung pa rrënjë, liria jonë dhe Republika jonë janë të rrënjosura në pranverën europiane të popujve, në vizionet demokratike dhe humane të Europës së re. Dhe prandaj, atij që do të na thotë se jeni popull i ri me shtet të ri, do t’i përgjigjemi se jemi bij të vizionit të Goces për një Europë të re, Europë të bashkuar dhe për botën si fushë për garë kulturore të popujve”, tha Gordana Siljanovska Davkova, presidente e RMV-së.

Nga Krusheva historike, urime për festën dhe respekt për ata që dhanë jetën e tyre dërgoi edhe kryetari i opozitës LSDM, Venko Filipçe. Ai bëri thirrje për bashkim, e jo për ndarje.

“Duhet të punojmë ende shumë dhe me përkushtim që më në fund të bëhemi pjesë e Europës, ku takojmë si qytetërim, si kulturë dhe si gjeografi. Duhet të punojmë të gjithë së bashku dhe t’i lëmë mënjanë ndarjet dhe etiketimet si patriotë dhe tradhtarë”, u shpreh Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.

Ceremoni u mbajtën edhe në Shkup, ku delegacione të shumta të kryesuara nga qeveria me kryeministrin Hristijan Mickoski vendosën lule tek përmendorja e presidentit të Republikës së Krushevës, Nikolla Karev, para Kuvendit, tek përmendorja e KAÇKM-së në parkun “Gruaja luftëtare” dhe tek përmendorja e presidentit të parë të Presidiumit të KAÇKM-së, Metodija Andonov Çento.

“Kjo ditë le të na kujtojë sakrificën që brezat e mëparshëm e kanë bërë që brezi ynë ta ketë këtë që e kemi sot – një shtet të lirë dhe të pavarur, Maqedoni. Le të na kujtojë sakrifica e tyre se çfarë shteti duhet të lëmë për brezat që vijnë pas nesh – një shtet me qytetarë të lumtur, një shtet i begatë, një shtet që do të jetë atdhe për të gjithë, pa dallim përkatësie etnike”, theksoi Hristijan Mickoski, kryeministër.

Përkujtimi i 81-vjetorit të Mbledhjes së Parë të KAÇKM-së u mbajt në Qendrën Përkujtimore në Pelincë me delegacionin e udhëhequr nga nënkryetarja e Kuvendit, Vesna Bendevska. Aty duhej të ishte edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, por për shkak të problemeve shëndetësore nuk mori pjesë. Ai dërgoi një mesazh se 2 gushti është simbol i luftës historike për një shoqëri të lirë, të barabartë dhe demokratike.