Maqedonia e parafundit në rajon! Paga mesatare, arsye për përplasje mes partive

TË FUNDIT

Sipas të dhënave zyrtare të Entit shtetëror i Statistikave, paga mesatare mujore në korrik të këtij viti ishte 40.961 denarë, ose 1.000 denarë më pak se paga në qershor, kur ishte 41.939 denarë. Nga opozitarja LSDM thonë se kjo pasqyron politikat e gabuara të Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së dhe është goditje për standardin e qytetarëve.

“Rënie prej 1000 denarëve do të thotë më pak para në xhepat e qytetarëve, më pak para për ushqim në tryezë, më pak mundësi, cilësi të ulur të jetës, standard më të ulët. Politikat e qeverisë dështuan në sferën kyçe, pagat e njerëzve, pikërisht aty ku qytetarët prisnin dhe kishin nevojë më shumë. VMRO-DPMNE në vend që të inkurajojë rritjen e pagave po e kthen politikën nga e kaluara ku punëtorët ishin fuqi punëtore e lirë”, theksoi Jovana Trençevska, deputete e LSDM-së.

Me reagim dolën nga VMRO-DPMNE. Prej atje thonë se LSDM manipulon dhe se derisa ata ishin në pushtet Maqedonia ka ngecur pas të gjithëve në rajon. Shtojnë se në kohën e LSDM-së paga reale ka pasur rënie e jo rritje.

“Derisa Maqedonia kishte  rritje të BPV-së për kokë bonori në periudhën 2017-2022 prej vetëm 20%, në Serbi rritja është 50%. Dhe për të njëjtën periudhë në Bullgari BPV për kokë banori u rrit për 64%. Shqipëria ka gjithashtu rritje të dyfishtë nga Maqedonia, ku BPV për kokë banori në periudhën 2017-2022 u rrit për 52%. Në vitin 2017 Maqedonia ka BPV më të lartë për kokë banori se Shqipëria dhe BeH, tani të dyja vendet që ishin pas nesh na kanë kaluar ndërsa Serbia, Bullgaria dhe Mali i Zi janë shumë para nesh”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Përndryshe, sipas statistikave pagë neto më të lartë për qershor të këtij viti në rajon ka Sllovenia, prej 1.501 eurove, pastaj vijon Kroacia me 1.315 euro, Serbia me 855 euro, Mali i Zi me 838 euro, Shqipëria me 757 euro, Bosnja e Hercegovinë me 702 euro, Maqedonia me 683 euro dhe Kosova me rreth 520 euro.