Maqedoni: Emërohet prokurori special

TË FUNDIT

Pas bisedimeve të lodhshme disaditore, Maqedonia u zgjua sot me prokuror të ri special dhe ligj për rregullimin e punës dhe kompetencave të tij, njoftoi Alsat-M. Prokurorja publike në Prokurorinë e Gjevgjelisë Katica Janeva ka qenë emri për të cilin palët zgjatën dorën në orën 5 të mëngjesit.

Marrëveshja është arritur vetëm pas arritjes së kryeministrit Nikolla Gruevski dhe kryetarit të LSDM-së Zoran Zaev në Klubin e Deputetëve, rreth orës 3 pas mesnate. Fillimisht liderët kanë harmonizuar qëndrimet për Ligj të posaçëm për Prokurori Speciale, ndërsa më pas edhe për emërimin e Janevës, që ka qenë propozim i pranueshëm për të dyja palët.

Emri i 50 vjeçares Katica Janeva është relativisht i panjohur për opinionin në vend. Është emëruar prokurore në vitin 2003, por nuk ka qenë e përfshirë në ndonjë proces të bujshëm gjyqësor. Ajo ka marrë pjesë në trajnime të ndryshme profesionale, mes të cilave edhe në SHBA dhe Evropë. Burime nga bisedimet thonë se marrëveshja për emrin është arritur më lehtë se sa për përmbajtjen e ligjit.