Derisa zyrtarët maqedonas bëjnë thirrje që të ndalet gjuha e urrejtjes ndaj Bullgarisë, nga fqiu lindor vijnë një sërë ofendimesh nga përfaqësues të lartë të qeverisë bullgare. Ministrja e Jashtme Ekaterina Zaharieva pa problem thotë se shteti ynë ka një regjim totalitar. Ndërkaq zv/kryeministri Krasimir Karakaçanov pas intervistës kontroverse të Zaevit për BGNES, kur tha se Zaevit i ka ardhur mendja, tani me ofendim të ri, se komisioni maqedonas që e quajti “i ashtuquajtur komision”, sillet si gomar në urë. Sipas tyre gjuha maqedonase është e ashtuquajtur gjuhë maqedonase. Deri kur Maqedonia do të jetë tolerante ndaj sjelljes së këtillë të Bullgarisë e cila vazhdimisht akuzon se gjuha e urrejtjes vjen nga pala jonë.
“Ky është ofendim dhe i prek ndjenjat tona, patjetër, mbetemi në apelin që të përmbahemi nga provokime dhe ofendime për shkak se kjo nuk na çon askund përveç në izolim , armiqësi etj”, tha kryeministri Zoran Zaev.
Zaev paralajmëroi se deri në fund të këtij viti do të iniciojë takim liderësh në qoftë se presidenti Stevo Pendarovski nuk bën një gjë të tillë. Në këtë takim ai tha se do të bisedohet edhe për çështjet e hapura me Bullgari. Shefi i opozitares VMRO-DPMNE, Hristian Mickoski tha se pret ftesë nga Zaevi, jo nga Pendarovski.
“Jo, nuk do të marr pjesë në takim të tillë i cili do të ishte me iniciativë të Pendarovskit. Nëse ulen partitë politike dhe nëse iniciativa vjen nga Qeveria, po, do të pranoj të marr pjesë”, u shpreh Hristijan Mickoski – kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Zv/kryeministri për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov të mërkurën shkon në Bruksel ku do të mbahet takim i ri ambasadorësh në të cilin në rend të ditës do të jenë konkluzionet për zgjerim të BE-së, që paraprakisht u hoqën për shkak të bllokadës së Bullgarisë për negociatat e BE-së me Maqedoni. Me këtë, Gjermania bën përpjekje të fundit në kuadër të kryesimit gjerman me Unionin që ta kthejë çështjen për fillim të negociatave me Maqedoninë dhe Shqipërinë këtë vit.
“BE-ja duhet ta realizojë premtimin e saj dhe të veprojë. Procesi aderues nuk guxon të prolongohet pafund për shkak se vetëm një anëtare e BE-së e mban peng për kërkesat e veta bilaterale”, potencoi Mihael Rod – Ministër gjerman për Evropë.
Ndërkohë, shefi i shtetit, Pendarovski në intervistë për EU Observer tha se është nonsens historik pohimi se historia e vendit tonë deri në vitin ‘45 ishte bullgare. Për gjuhën dhe identitetin, të cilët sipas pozitës bullgare, janë krijuar në bazë të rrënjëve bullgare, nuk mund të diskutohet, ka deklaruar Pendarovski.
