Manifestimi i dytë për Çarshinë e Vjetër të Shkupit "Kalldërma është jetë"

TË FUNDIT

Në organizim të Odës Ekonomike Maqedoni-Bullgari dhe me mbështetje të  Ministrisë së Ekonomisë dhe Komunës së Çairit sot u mbajt manifestimi i dytë “Kalldërma është jetë” qëllimi i të cilit është që me projekte të biznesit dhe kulturore të kthehet shkëlqimi i njërës prej hapësirave më autentike të kryeqytetit – Çarshia e Shkupit si vendi i esnafit dhe bashkëjetesës.

Në fjalimin e tij ministri i Ekonomisë Bekim Neziri tha se esnafi i mban Çarshinë të gjallë, ndërsa karakteristika e saj kryesore është që ai është i bashkuar në diversitet.

“Prandaj i mbështesim projektet e tilla, Atë që e premtuat vjet, e realizuam këtë vit në bashkëpunim me Komunën e Çairit. Siguruam mjete në vlerë prej 400.000 euro për rinovimin e dyqaneve gjegjësisht blloku 3, 2 i cili përfshin rreth 60 dyqane. Për secilin dyqan do të bëhet projekt i veçantë për konservim, sanim dhe adaptim të vitrinave dhe shkrimeve në dyqane. Me këtë rast, veçanërisht do t’i jepet llogari që të mos humbet autenticiteti dhe vlera kulturore e vetë objektit”, tha Neziri.

Sipas kryetari të komunës së Çairit Izet Mexhiti, Çarshia ka jetë dhe potencial, ndërsa ne kemi për obligim të bëjmë shtresë të traditës shekullore dhe jetesës moderne.

“Prandaj Komuna e Çairit ka ndërmarrë një seri aktivitetesh me të cilat Çarshisë së Vjetër të Shkupit i jep dimension të ri modern. Ajo ka qenë dhe duhet të jetë qendër e jetës ekonomike dhe shoqërore, avangardë e kohës. Manifestimi ‘Kalldërma është jetë’ është vazhdim i të gjitha angazhime tona për Çarshinë”, tha Mexhiti.

Kryetari i Odës Ekonomike Maqedoni-Bullgari Zore Temelkovski e potencoi rëndësinë e lidhjes infrastrukturore.

“Për të ardhur deri te kalldërmat të cilat janë jetë, deri te këto sokakë të historisë, neve na duhen diagonale moderne magjistrale të lidhshmërisë së fqinjve, të daljes së kalldërmave që në këtë kohë janë shprehje e qorrsokakëve ballkanik pa lidhje moderne të qarkullimit. Shqipëria, Maqedonia dhe Bullgaria e kanë obligimin që mes vete të lidhen me rrugët evropiane për udhëtim të shpejtë dhe të sigurt drejt ardhmërisë… Idetë të cilat do t’i realizojmë do të jenë pasqyrë e asaj që sot e premtojmë. Konsiderojmë se bashkëjetesës dhe marrëdhënieve-fqinjësore të cilat kanë qenë dhe janë në këto hapësira ballkanike do t’u japim dinamikë më të madhe”, tha Temelkovski.

Në këtë ngjarje mbajti fjalim edhe ambasadori i Bullgarisë në Shkup Ivan Petkov i cili e theksoi rëndësinë e turizmit kulturor për zhvillimin e tërë turizmit të një vendi dhe përkujdesjen e asaj që është unike në kulturën dhe historinë, diçka që të tjerët nuk e kanë.

Përfaqësuesit nga bashkësia e biznesit, nga odat ekonomike, nga rajonet planore dhe nga arti i manifestimit diskutuan si tradita dhe modernizimi që të bashkohen dhe të ribrendojnë këtë bërthamë të vjetër urbane, e cila do të fisnikërohet edhe me krijimtarinë e artistëve. Ata kanë ide që në Çarshi të bëhet një sokak i artit, ku do të ketë atelie për pikturë dhe ekspozita në vende të hapura dhe një sokak të modës së lartë me dyqane  të risive të brenduara të modës dhe organizim të revyve në vende nëpër çarshi.

Organizatorët e ngjarjes nënshkruan edhe Memorandum për bashkëpunim për t’i realizuar projektet të cilat së bashku i kanë planifikuar.