Makron: Lufta në Ukrainë problem edhe për vendet e Azisë-Paqësorit

TË FUNDIT

Presidenti francez Emanuel Makron sot në Bangkok bëri thirrje që vendet e Azisë-Paqësorit të përfshihen në “konsensusin gjithnjë e më të madh” kundër luftës në Ukrainë, duke theksuar se ajo luftë është edhe “problem i tyre”.

“Prioritet numër një për Francën është që të kontribuojë për paqen në Ukrainë dhe të bëjë përpjekje që të krijojë dinamikë globale për presion ndaj Rusisë”, nënvizoi Makroni në samitin e liderëve në Bashkëpunimin Ekonomik Azi-Paqësor (APEK).

Siç shtoi ai, Franca dëshiron bashkëpunim shumë të afërt me vende të ndryshme, siç janë Kina, India, vendet e Lindjes së Afërt, Afrika, Amerika Latine, që të krijojë konsensus gjithnjë e më të madh.

Sipas tij, ato vende gjithashtu duhet të thonë se lufta në Ukrainë është edhe problem i tyre, sepse krijon destabilizim.

“Na ndihmoni që t’i dërgojmë porosi Rusisë – ndërpritni luftën, respektoni rendin ndërkombëtar, kthehuni në tryezën e bisedimeve”, theksoi Makroni.

Në Bangkok sot filloi samiti i APEK në kushte të luftës në Ukrainë dhe lansimin e raketave balistike koreanoveriore.

Ky është takimi i parë i drejtpërdrejt i liderëve të APEK nga viti 2018.

Pak para fillimit të samitit, Pheniani lansoi edhe një raketë, për të cilën besohet se ka rënë në det në zonën ekonomike ekskluzive japoneze, sipas kryeministrit japonez Fumio Kishida.