Kampionia e Botës në Xhudo, Majlinda Kelmendi nuk do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror që do të mbahet në Astana të Kazakistanit.
Lajmin e ka konfirmuar trajneri i saj, Driton Kuka, i cili në një postim në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se Majlinda nuk ka qenë e gatshme për Botëror shkaku i lëndimit të gjurit dhe të shpinës, transmeton Koha.net.
“Sot kemi arrit në Astana ku mbahet Kampionati Botëror. Sot mora vendim që Kampionia e dyfishtë Botërore mos të garojë në ketë garë. Majlinda sot dukej e mërzitur sepse të tillë janë Kampionët e mëdhenj duan që të japin gjithmonë maksimumin, por ajo do përgatitet për Lojëra Olimpike ku presim që të plotësoj të vetmen medalje që ende s’e ka në koleksionin e saj”, ka shkruar Kuka.
“Sivjet Majlinda pati se pari Lëndimin e gjurit e kohët e fundit të shpinëss prandaj performanca e saj sipas meje s’ka qenë ende në nivel për Botëror”.
Kuka ka konfirmuar se në këtë Botëror do të marrin pjesë Nora Gjakova për kategorinë deri në 57 kilogramë dhe Distria Krasniqi 52 kilogramë.
