LVV-ja akuzon Sami Lushtakun për sulm ndaj Hysni Mehanit! Lushtaku: Etiketat si “Sami Serbia” qytetarët nuk i tolerojnë

TË FUNDIT

Nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se kandidati i tyre për deputet, Hysni Mehani është sulmuar fizikisht në Skënderaj, përcjell TV21. Për sulmin, partia akuzon kryetarin e komunës së Skënderajt, Sami Lushtakun.

“Sot, në kafeterinë “Solo” në qendër të Skenderajt, është sulmuar brutalisht nga Kryetari i Komunës së Skënderajt Sami Lushtaku dhe truprojat e tij, zëvendësministri i Ministrisë së Financave, kandidati për deputet dhe Kryetari i Qendrës së LVV-së në Skënderaj, Hysni Mehani. Ky sulm fizik ndodhi në kohën kur z. Mehani ishte duke pirë kafe me deputeten Arjeta Fejza dhe aktivistë të LVV-së. Fillimisht, Hysni Mehani është goditur me grusht, ndërsa më pas edhe me gotë në kokë. Pas përpjekjes së Sekretari të Qendrës, Bahri Zabeli për të parandaluar përshkallëzimin është sulmuar dhunshëm nga shoqëruesit e Sami Lushtakut edhe ai duke pësuar goditje të rënda. Hysni Mehani aktualisht është duke marrë trajtim mjekësor. Ky sulm fizik bandistesk tregon qartë për se këta njerëz nuk e kanë vendin në udhëheqje të institucione publike qendrore e lokale. Kërkojmë nga organet kompetente të trajtojnë rastin me urgjencë dhe ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore ndaj përgjegjësve. Po ashtu, kërkojmë nga Partia Demokratike e Kosovës dënimin e këtij akti. Lëvizja VETËVENDOSJE! dënon ashpër këtë sulm fizik, por njëkohësisht u tregon gjithë këtyre se nuk mund ta trembin as ta frikësojnë asnjë aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! e qytetar të Republikës”, thuhet në reagimin e LVV-së.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Lushtakut, i cili ka shkruar:

“Pushteti i Albin Kurtit përmes mekanizmave të tij tentoi që sot të më sulmoi në Skenderaj. E kam një jetë në shërbim të vendit kurse etiketat si “Sami Serbia” qytetarët nuk i tolerojnë më prandaj edhe reaguan!”, ka shkruar Lushtaku.