Lideri autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, ka thënë se është duke bërë gjithçka që mundet për të ndihmuar në dhënien fund të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, e cila është “zvarritur” më gjatë sesa e ka menduar ai.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve, Associated Press, të publikuar më 5 maj, Lukashenka ka thënë se Kievi ka “provokuar” Moskën, teksa ka komentuar pushtimin rus në Ukrainë.
Ndonëse nuk ka dhënë hollësi sesi Ukraina e ka provokuar Rusinë para nisjes së luftës, Lukashenka ka thënë se ka informacione që tregojnë se Ukraina ka planifikuar të sulmojë edhe bjellorusët.
Lideri bjellorus i ka ndihmuar Rusisë në këtë konflikt duke ia lënë të lirë territorin e shtetit për të nisur sulme në tokën ukrainase.
