Luiza Gega bëhet kampione evropiane në atletikë

TË FUNDIT

Atletja shqiptare, Luiza Gega tashmë është kampione evropiane në 3.000 metra me pengesa.

Në eventin që po zhvillohet në Mynih të Gjermanisë, ajo dha kohën 9’11”31, në një garë që e dominoi nga starti e deri në fund. Një rezultat i jashtëzakonshëm për Gegën dhe atletikën shqiptare, që ngjitet në majën e Evropës.

Gega kurorëzoi kështu me një medalje të artë një sezon të jashtëzakonshëm, ku ka dominuar kudo që ka garuar. Kampione e Evropës, në një garë që ajo nuk e vuri asnjëherë në diskutim fitoren, duke qenë gjithnjë në krye dhe e shkëputur ndjeshëm nga të gjitha rivalet, që duelonin vetëm për podiumin.

Një triumf i madh për Luiza Gegën, trajnerin e saj Taulant Stërmasi dhe atletikën shqiptare.

Në vendin e dytë, me 4 sekonda vonesë u rendit atletja gjermane Lea Meyer dhe e treta ajo britanike Elizabeth Bird.