Së paku katër sulme ajrore ndodhën në kryeqytetin e Ukrainës gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të televizionit amerikan Si-Bi-Es. Moska kumtoi se armata ruse nuk do t’i pengojë civilët ta braktisin Kievin dhe për herë të parë bëri me dije se janë vrarë 500 ushtarë. Nga ana tjetër, Presidenti ukrainas, sot në mëngjes e inkurajoi ushtrinë dhe i bëri thirrje që të vazhdojë të demonstrojë rezistencë.
“Kudo që të shkojnë do të shkatërrohen. Këtu nuk do të kenë paqe, nuk do të kenë ushqim, nuk do të kenë asnjë moment të qetë. Pushtuesit morën vetëm një gjë nga ukrainasit – rezistencë. Rezistencë të ashpër. Këtë rezistencë do ta mbajnë mend përgjithmonë se nuk hoqëm dorë nga ajo që është e jona, ata do të kujtojnë çka do të thotë luftë patriotike. Por, për ne ukrainasit kjo është luftë patriotike. E dimë se si fillojnë luftërat patriotike dhe dimë si përfundojnë për sulmuesit”. tha Zelenski.
Pas pritjes disa orëshe në Kiev për evakuim, disa qytetarë tashmë janë duke udhëtuar drejt vendeve perëndimore.
“Ndjeja tmerr, zbrazëti dhe urrejtje. Gjithçka brenda meje ndryshoi…”, tha Irina, qytetare e evakuuar nga Kievi.
Sipas SHBA-ve, konvoji i madh rus i cili lëvizte drejt Kievit tashmë është bllokuar për shkak të mungesës së karburantit dhe ushqimit. Uashingtoni e mbështet diplomacinë.
“Për ne, dera për një rrugë diplomatike është e hapur. Kjo do të jetë shumë e vështirë të ndodh pa pasur deeskalim ushtarak. Është shumë e vështirë që diplomacia të arrijë sukses kur pushkët po gjuajnë, tanket po lëvizin, avionët po fluturojnë…”, deklaroi Entoni Blinken, sekretar shtetëror i ShBA-ve.
Autoritetet në Herson, kumtuan se qyteti ka rënë nën kontrollin rus. Ky është qyteti i parë i madh që pushtoi Rusia. Njëkohësisht në rrjetet sociale, Rusia i tregon veprimet ushtarake në Ukrainë. Gorenka është një fshat i vogël në periferi të Kievit. Sot, banorët u zgjuan nën ankth, pasi vendi i tyre ishte sulmuar nga forcat ruse. Mes tyre është edhe Olga, e cila po përpiqet të gjejë shpjegim pse po ndodh kjo në shtëpinë dhe fshatin e saj?!
“Rreth orës 8 të mëngjesit dëgjova avionin dhe e hapa derën. Filluan të bien tullat, llaçi, e pastaj edhe tavani. Por, unë mbijetova. E tani mund të shihni se gjithçka është shkatërruar”, tha Olga Fedjerovan, banore e fshatit Gorenka – Kiev.
Haga fillon hetim për situatën në Ukrainë. Në ballinën e gazetës “Tajm” është flamuri i Ukrainës me fjalët e Presidentit Zelenski “Jeta do ta mundë vdekjen, kurse bota errësirën”.
