Nëse ka ekzistuar deri me tani dilema, ajo u eliminua-Rusia është përfshirë në mënyrë aktive në luftën në Siri, pasi që ushtrisë së këtij vendi po i dërgon logjistikë dhe po i jep mbështetje të armatosur.
Këtë e konfirmoi vetë Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i cili gjatë pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik në Vladivostok deklaroi se raportet e përfshirjes së ushtarëve rusë në luftën kundër Shtetit Islamik në Siri janë të parakohshme, ngase Moska ende nuk ka filluar një angazhim të tillë. Megjithatë, Putin pranoi se Moska tashmë më të madhe është duke e ndihmuar ushtrinë siriane, të cilën është duke e furnizuar me armatim dhe shtoi se vendi i tij me të vërtetë është i interesuar për formimin e një koalicioni ndërkombëtarë për luftë kundër terrorizmit.
Gjatë muajve të kaluar është spekuluar se roli i Rusisë në luftën në Siri po bëhet gjithnjë e më serioz. Këto spekulime u nxitën edhe më shumë nga fotografitë, të cilat javën e kaluar i publikoi televizioni shtetëror i Sirisë, në të cilat automjetet e blinduara ruse shihen të angazhuara në aksion.
Sekretari amerikan i shtetit, Xhon Keri, ka shprehur brengën e tij për shkak të raporteve për angazhimin e Rusisë në Siri, duke nënvizuar se aksionet e rusëve mund të rezultojnë me përshkallëzim të konfliktit.
Edhe sekretari i Pentagonit për shtyp, Piter Kuk, deklaroi se Amerika me kënaqësi pranon mundësinë që të tjerët të përfshihen në luftën kundër ekstremizmit, por qartësoi se regjimi i Bashar Al Asadit nuk mund të jetë partner në luftën kundër terrorizmit./21Media
