“Ballkanbabilonasit” quhet romani i shkrimtarit Luan Starova, që u promovua sot në Shkup. Ky roman në gjuhën maqedonase, është shpallur fitues në vitin e kaluar, në mesin e 32 romaneve, në konkursin e organizuar nga gazeta “Untrinski Vesnik”
Në Akademinë e Arteve dhe Shkencave të Maqedonisë sot u bë promovimi i romanit “Ballkanbabilonasit” të akademikut Luan Starova. Në prani të adhuruesve të librit, akademiku Starova prezantoi pjesë të këtij libri, duke theksuar se tematika e romanit lidhet me fenomenet ndërkulturore që zhvillohen në Ballkan.
“Ky është kulmi, është një mundim të kërkohet dalja e ballkanasve nga barbarizmi nëpërmjet të librit, nëpërmjet të qasjeve njerëzore dhe humane” tha Luan Starova, autori i romanit “Ballkanbabilonasit”
Në mesin e të pranishmëve ishte akademiku amerikan Viktor Fridman nga Universiteti i Chicagos. Fridman në fjalimin e tij në gjuhën shqipe e vlerësoi lartë romanin “Ballkanbabilonasit”, kurse autorin Starova e ngrit në piedestalin më të lartë të shkrimtarëve shqiptarë dhe më gjërë.
“Ky libër ka specifikat e veta, patjetër. Tërë historia e Ballkanit rrëfehet në gjuhët ballkanike. Edhe nga pikëpamja shkencore, libri është shumë i gjërë sepse edhe shpirti i Luan Staroves është aq i gjërë sa që libri mund të lexohet në shumë gjuhë”, tha Victor Friedman, Akademik nga Universiteti i Chicagos
Romani “Ballkanbabilonasit” është i 12-ti me radhë nga saga e romaneve, të cilët autori Starova i botoi në 25 vitet e fundit të veprimtarisë së tij. Ky roman që vitin e kaluar u shpallë si vepra më e mirë nga 32 romanet konkurruese në Maqedoni, gjatë pranverës së vitit të ardhshëm do të përkthehet edhe në gjuhën shqipe.
Adnan Qaili
