Lidhja e Sindikatave ka reaguar ndaj vendimit të djeshëm të Qeverisë për rritjen e pagave prej 5% në Ministrinë e Brendshme. Kërkojnë që Qeveria të marrë vendim për rritjen e pagave për 18,4% në sektorin publik, e jo, siç thonë, t’i manipulojë punëtorët me rritje të vogla me nga 2, 3, 5, 10 e 15%. Kjo sipas tyre është përpjekje për minimin e grevës së përgjithshme, ndërsa shkaktohet revoltë edhe më e madhe te të punësuarit.
“Siç thotë Ligji, pagat edhe në sektorin publik, edhe në atë privat duhet të harmonizohen për 18,4 për qind, ndërsa LSM-ja kërkon, lufton dhe është e vendosur deri në fund që punëtorët të marrin paga dinjitoze, të konfirmuara me Ligjet dhe marrëveshjet kolektive, të cilat duhet të zbatohen edhe krahas të gjitha presioneve”, thonë nga LSM.
Qeveria dje vendosi që në MPB rrogat të rriten për 5%.
“Qeveria ngarkoi Ministrin e Brendshëm që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për rritjen e pagave në Ministrinë e Brendshme në lartësinë 5%, duke filluar nga paga e shtatorit 2022, pas njoftimit të MPB-së se në buxhetin e saj për vitin 2022 janë parashikuar fonde për një rritje të tillë që nga shtatori dhe kërkesa e MPB-së për nxjerrjen e një konkluzion të tillë, me qëllim ndryshimin e vendimit për vlerën e pikëve”, pohojnë nga Qeveria.
Sipas LSM-së, dallimi mes pagës mesatare neto dhe shportës sindikale në vitin 2022 është 7.384 denarë. Thonë se kjo është shuma që mungon që një familje katëranëtarëshe të mund të jetojë normalisht me pagë mesatare, nëse ka vetëm një të punësuar.
