LSDM vazhdon ta mbështesë Merkon në Strugë: “Bashkëpunim për gjithçka që është në interes të qytetarëve”

TË FUNDIT

“…duhet të ulen, të mendojnë se si do të vazhdojnë më tutje sepse të gjithë ata janë të zgjedhur nga qytetarët që t’i përmirësojnë dhe mbrojnë të drejtat e qytetarëve”, tha Dimitar Kovaçevski, kryetar i LSDM-së.

Kjo është porosia që kryeministri, njëherit edhe kryetar i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, ua përcolli këshilltarëve socialdemokratë në Komunën e Strugës, kur kryetari Ramiz Merko u fut në listën e zezë të SHBA-ve. Por që atëherë asgjë nuk është dëgjuar nëse ata vazhdojnë ta bëjnë shumicën në Këshill bashkë me BDI-në apo nëse kanë reflektuar dhe nuk do ta mbështesin më. TV21 kontaktoi me kryetarin e degës së LSDM-së në Strugë. Na tha se do të vazhdojnë bashkëpunimin për hir të interesit të qytetarëve.

“Bashkëpunimi ynë do të vazhdojë për gjithçka që është në interes të qytetarëve. Obligim i organeve hetimore është që të hetojnë veprat e tij të dyshimta. Ne nuk jemi ata të cilët duhet të kërkojmë dorëheqjen e tij, sepse kryetari i komunës është zgjedhur nga qytetarët dhe vetëm ata mund të kërkojnë dorëheqje”, theksoi Aleksandar Poposki, kryetar dege i LSDM-së në Strugë.

I pyetur rreth kësaj, zëdhënësi i LSDM-së Darko Kaevski, rikujtoi fjalët e shefit të tij Kovaçevski, se si parti u kanë bërë thirrje këshilltarëve të tyre në Strugë që të mendojnë se si do të veprojnë më tej, por duke mos konkretizuar se cili është vendimi partiak.

Ramiz Merko është zgjedhur në zgjedhje të drejtpërdrejta lokale. Siç thatë dhe ju, ai vendosë nëse do të jep dorëheqje. Ne nuk mundemi si parti politike apo si pushtet ekzekutiv t’i kërkojmë të jep dorëheqje. Apeli ynë ishte deri te këshilltarët që të mendojnë si do të veprojnë në të ardhmen”, u shpreh Darko Kaevski, zëdhënës i LSDM-së.

Përndryshe, dje, dega e Aleancës për Shqiptarët në Strugë njoftoi se këshilltarët e tyre nuk do të mbështesin asnjë vendim në komunë përderisa me të kryeson Ramiz Merko.

Partia e Merkos, BDI deri më tani nuk e ka kërkuar dorëheqjen e tij si kryetar komune, por vetëm i ka ngrirë aktivitetet partiake, me kërkesë të tij. 

Merko u shpall non-grata nga SHBA-të për përfshirje në korrupsion dhe gjyqësor. Komisioni i Prokurorisë Publike ka vërtetuar se  janë rreth 30 lëndë të regjistruara për Merkon në Prokurorinë e Strugës, Manastit dhe atë Prokurorinë për Ndjekje të Krimit të Organizuar. Kjo e fundit është duke punuar në pesë lëndë, në mesin e tyre edhe për blerjen e veturave për komunën e Strugës.