Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë edhe sot prezantoi pjesë të projektit të saj “Vizioni për Maqedoninë”, ku theksi i veçantë ishte për krijimin e politikave të reja sociale dhe kthimin e mirëqenies për qytetarët.
Në këtë tribunë të titulluar “Paratë tek qytetarët, të nxjerrim vendin nga varfëria”, Dragan Tevdovski nga Komisioni partiak për çështje ekonomike theksoi se LSDM-ja do të përpiqet për kthimin e klasës së mesme, krijimin e kushteve me mundësi të barabarta për të gjithë dhe për eliminimin e partizimit dhe nepotizmit.
„Për shembull kemi punonjës që punojnë me orar të plotë pune, jashtë orarit të punës, ndoshta shumë orë dhe pa u paguar as për 8.000 denarë, kurse në anën tjetër kemi paga edhe nga 8 mijë euro. A është kjo shpërndarje korrekte për ata që duhet të shpërblehen? Unë e them një “JO” të madhe dhe këtë situatë duhet ndryshuar përmes politikave ekonomike dhe sociale“, deklaroi Dragan Tevdovski, nga komisioni per ekonomi – LSDM.
Milla Carovska nga Komisioni i punës dhe politikës sociale tha se LSDM-ja parashikon program me transferime transparente sociale, mbrojtje më cilësore sociale për të gjitha kategoritë më të prekshme sociale, përfshirë edhe kategoritë e të moshuarve. Por do të punohet edhe për përparimin e punës sociale dhe të punonjësve social.
„Në qoftë se jeni familje me katër anëtarë dhe merrni ndihmë sociale prej 5.700 denarëve, shteti do t’ju japë edhe 6.000 denarë plotësuese, për të pasur 12.000 denarë, që të mbuloni shpenzimet minimale për jetesë. Në atë mënyrë shteti do t’u ndihmojë këtyre familjeve dhe do t’i nxjerrë nga varfëria”, theksoi Milla Carovska.
Ky debat është pjesë e debateve partiake para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të 24 prillit. Nga LSDM theksuan se simbolika kohore e këtyre debateve ka të bëjë me situatën e rënduar momentale në të gjitha sferat, dhe se sipas tyre, ka ardhur koha për të zgjidhur këtë situatë.
