LSDM-ja akuzoi se ministri në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Ivan Stoilkoviq, përmes aktiviteteve të tij promovon interesa kineze dhe ruse, duke vlerësuar se kjo është në kundërshtim me interesat strategjike të vendit, përcjell TV21. Nga partia opozitare thonë se Stoilkoviq promovon investime strategjike me Kinën dhe se aktivitetet e tij, sipas tyre, kontribuojnë në rritjen e ndikimit të fuqive lindore në Maqedoninë e Veriut.
“Konfirmohet ajo që thotë LSDM-ja, se Ivan Stoilkoviq, bashkëpunëtor i Mickoskit dhe ministër në qeverinë e tij, punon për agjendën kineze dhe ruse. Pas vitesh të promovimit të interesave serbe dhe ruse, pas kredisë prej një miliard eurosh me para kineze, të cilën Mickoski e mori përmes Orbanit, tani Stoilkoviq promovon projekte po ashtu me para kineze”, tha Keti Shterjova nga LSDM-ja.

