LSDM: Rreziqe për energjinë dhe ujin nga data center-at! Ministria: Data center-at, motor i zhvillimit dhe investimeve

TË FUNDIT

LSDM reagoi ndaj qëndrimeve të Qeverisë për ndërtimin e qendrave të mëdha të të dhënave, duke i akuzuar se po rrezikojnë interesin publik dhe resurset energjetike të vendit. Opozita vlerëson se këto projekte mund të rrisin varësinë energjetike, të ndikojnë në rritjen e faturave të qytetarëve dhe të krijojnë përfitime për interesa private dhe tenderë.

“Këto objekte konsumojnë sasi ekstreme të energjisë elektrike dhe ujë të pastër, ndërsa kthimi ekonomik, punësimi dhe të ardhurat tatimore janë minimale. Një qendër e madhe e të dhënave konsumon midis 1 dhe 3 milion litra ujë të pijshëm në ditë, aq sa konsumon një qytet me 15.000 deri në 30.000 banorë. Në kushte të ndryshimeve klimatike, thatësirave dhe stresit ujor, kjo drejtpërdrejt do të çojë në kufizime për familjet dhe bujqësinë”, tha Kristijan Dojçinovski, LSDM.

LSDM kërkon moratorium për ndërtimin e qendrave të reja komerciale të të dhënave që përdorin ujë dhe kërkon standarde më të rrepta për projektet e lejuara.

Ndaj tyre reagoi Ministria e Transportit, duke i akuzuar se përpiqen të pengojë zhvillimin e shtetit. Nga atje shtojnë se për ndërtimin e një qendre të të dhënave është e nevojshme të plotësohen të gjitha kushtet teknike që janë të përcaktuara rreptësisht në ligje, të bëhen të gjitha llojet e studimeve dhe të sigurohet punë cilësore.

“Investimet në qendrat e të dhënave arrijnë miliarda euro në të gjitha shtetet e zhvilluara në Evropë dhe Amerikë, zhvillimi i teknologjisë dhe inteligjencës artificiale është një nga motorët kryesorë të shteteve moderne. Në ndërtimin e një qendre të të dhënave mesatarisht angazhohen të paktën 300 punëtorë, ndërsa për funksionimin operativ të një qendre të të dhënave punësohen rreth 100 inxhinierë shumë të kualifikuar”, tha Ministria e Transportit.

Nga ministria theksojnë se me zhvillimin e vetë inteligjencës artificiale, qendrat e të dhënave janë të domosdoshme dhe për këto arsye shteti duhet të ndjekë një politikë të mençur që i përcjell në hap të gjitha trendet e reja në teknologji.