LSDM po vazhdon bisedimet për të siguruar qeveri të re me mandat të plotë katërvjeçar

TË FUNDIT

Nga partia e Zoran Zaevit, Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, që drejton koalicionin “Mundemi”, pohojnë se po vazhdojnë me bisedimet për të formuar qeverinë.

“Procesi i bisedimeve serioze po vazhdon për të formuar shumicë të qëndrueshme parlamentare për të siguruar qeveri të re me mandat të plotë katër vjeçar” thuhet në kumtesën e LSDM-së të dërguar sot në mëngjes.

Ky koalicion, me më së shumti mandate në Kuvend, dje nga Presidenti Stevo Pendarovski mori mandatin për të formuar qeveri të re.

Nga LSDM shkruajnë se propozimi për qeveri të përbërë nga kuadro cilësore, përgjegjëse dhe llogaridhënëse, që do të luftojë krimin dhe korrupsionin në të gjitha nivelet, do t’i dorëzohet Kuvendit, ndërsa vëmendje e veçantë do t’i kushtohet pastrimit të gjyqësorit dhe verifikimit të prejardhjes së parave për çdo zyrtar.

“Programi i qeverisë do t’i kushtohet kryesisht ekonomisë së re, ku parimet kryesore janë pagat dhe pensionet për të vazhduar të rriten, për të investuar në rininë dhe zhvillimin e ekuilibruar rajonal, për të marrë kujdes të veçantë dhe madje edhe më të madh për qytetarët më të varfër dhe për të siguruar mbështetje të vazhdueshme të ekonomisë së brendshme” shkruhet në kumtesë.

Përfundojnë duke thënë se Maqedonia e Veriut do të fitojë qeveri që ndjek rrugën evropiane, rrugën e ekonomisë dhe drejtësisë, rrugën drejt prosperitetit dhe stabilitetit afatgjatë dhe “qeveri që nuk di për devijimin nga rruga që çon pas anëtarësimit në NATO dhe drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.