LSDM paralajmëroi mbështetje të Rezolutës! Partitë e vogla: Rezoluta është e nevojshme dhe do e pranojmë

TË FUNDIT

Pozitat rreth identitetit dhe gjuhës maqedonase janë shumë të qarta, ndërsa të qarta janë edhe linjat e kuqe për identitetin maqedonas, por nëse e gjithë kjo nuk është e qartë për Mickoskin, LSDM do ta mbështet Rezolutën, thonë nga partia në pushtet. Kërkojnë që dokumenti të dërgohet deri te të gjithë deputetët, siç thonë, në përputhje me Kushtetutën dhe porositin që identiteti maqedonas të mos shfrytëzohet për përplasje partiake.

 “Nëse Hristijan Mickoski dhe VMRO-DPMNE nuk janë të sigurte, nëse u nevojitet konfirmim edhe në suaza të Parlamentit, ne si shumicë konstruktive parlamentare pa asnjë problem mund të bëjmë hap të tillë dhe do ta pranojmë Rezolutën ashtu siç është. Në përputhje me Kushtetutën, VMRO-DPMNE duhet zyrtarisht ta dërgojë Rezolutën deri te të gjithë deputetët”, deklaroi Kostadin Kostadinov nga LSDM.

A do të thotë thirrja e Kostadinovit që Rezoluta të dorëzohet në përputhje me Kushtetutën që edhe të përdoret emri kushtetues, deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski, thotë se vetë Rezoluta thirret në dokumente ku shfrytëzohen tituj origjinal.  

 “VMRO-DPMNE do ta parashtrojë këtë Rezolutë në të cilën thirremi në dy dokumente zyrtare. Njëri dokument është nga Gazeta zyrtare 43 nga viti 1991, rezultatet nga Referendumi dhe dokumenti i dytë është nga Gazeta Zyrtare nga viti 1998, atëherë është miratuar Deklarata për zhvillim të raporteve mes Republikës së Maqedonisë dhe BE-së”, theksoi Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE.

Milloshoski këtë paradite kishte takime edhe me partitë më të vogla për përkrahje të Rezolutës.

 “Ne sugjerojmë që të hapet debat dhe të ndërtohet konsensus politik rreth çështjeve tona strategjike dhe kombëtare, kjo do të thotë se kjo Rezolutë, a do të jetë Rezolutë apo Deklaratë, duhet të bazohet në ndërtimin e bashkimit në shtetin tonë”, potencoi Pavle Trajanov nga Lidhja Demokratike.

 “Ky draft version është i pranueshëm, kuptohet mund të ketë korrigjime në vetë tekstin edhe në lidhje me disa detaje të tjera por edhe në lidhje me atë se çfarë do të thotë përdorim i emrit kushtetues të shtetit. Për identitetin, gjuhën, popullin maqedonas nuk mund të bisedohet”, tha Maja Morçanin nga DOM.

 “Është e rëndësishme që të ketë bashkim në Kuvend për rezolutat e tilla dhe është mirë që për çështje serioze të kemi konsensus të përgjithshëm kombëtarë”, u shpreh Monika Zajkova nga PLD.

Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se ende nuk kanë qëndrim për këtë çështje. Milloshoski nesër përveç se me deputetët e ASH-AA, planifikon të ketë takim edhe me deputetët e BDI-së, ndërsa me shumë gjasa edhe me ata të LSDM-së, që të vërtetohet qëndrimi rreth Rezolutës për gjuhën dhe identitetin maqedonas.