LSDM në “stuhi” të re? Ish-zyrtarë dalin me “platformë”, partia i quan “ZNAM 2.0”

TË FUNDIT

Partia opozitare LSDM-ja po përballet me një sfidë të re brenda radhëve të saj. Përderisa partia synon të konsolidojë opozitën, një grup ish-zyrtarësh, së bashku me deputeten Sllavjanka Petrovska, kanë dalë me një platformë politike të re politike të quajtur “Biseda për të ardhmen në 12:05”.  Kumtuan se platforma është për ngritjen e nivelit të debatit shoqëror. Ora 12:05, sipas tyre, është një mesazh simbolik se tashmë është vonë, por nuk guxohet të lejohet lejojmë që të bëhet tepër vonë për Maqedoninë. Tre nga përfundimet që arritën pas mbledhjes, janë që:

Platforma “Biseda për të Ardhmen në 12:05”:

-Të gjitha hulumtimet e opinionit publik tregojnë se skena politike maqedonase ofron, në njërën anë, një parti dhe koalicion të fortë qeverisës, ndërsa në anën tjetër një opozitë të fragmentuar me qëllim.

-Hapësira opozitare nuk plotësohet me parti të reja, por me një (r)evolucion ideologjik dhe të vlerave.

-Maqedonisë i nevojitet një Marrëveshje e Re Shoqërore si bazë për krijimin e një potenciali të gjerë opozitar për ndryshime.

Këtë lëvizje të re, partia LSDM e ka cilësuar si një përpjekje të kryeministrit Mickoski për të krijuar një opozitë të kontrolluar, duke pretenduar se nisma synon të dobësojë partinë përmes ish-anëtarëve të saj dhe se votuesit nuk do të mashtrohen.

LSDM:

-Së pari, nuk dihet se kush qëndron pas saj. Nuk ka emër të organizatorit, nuk ka transparencë dhe gjithçka zhvillohet sipas rregullave të Chatham House. Kur shihet se çfarë ndodhi në takimin e parë, bëhet e qartë se, edhe pse u fol për “bashkimin e opozitës”, pika dhe përfundimi i parë i takimit ishte sulmi ndaj LSDM-së. Mickoski e paralajmëroi këtë platformë që në fund të vitit të kaluar. Promovuesit e parë ishin Jovan Despotovski dhe Petre Shilegov, si një version i ri i ZNAM 2.0. Meqenëse nuk arriti ta rrëzojë LSDM-në nga brenda, tani po i bashkon ish-anëtarët e saj për ta sulmuar nga jashtë.

Pas kësaj, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në FB njoftoi se do ta nominojë Goran Gerasimovskin për nënkryetar të partisë. Ai vlerësoi se Gerasimovski ka fituar besimin e qytetarëve me punën e tij si kryetar i Komunës Qendër dhe se mandati i dytë është dëshmi e rezultateve të arritura. Sipas Filipçes, ai do të sjellë energji të re, do të ndihmojë në bashkimin e partisë dhe në forcimin e LSDM-së.

Kujtojmë se LSDM në Kongresin e 32-të programor “Shteti yt, shansi yt” miratoi një platformë të re ideologjike, duke paralajmëruar reforma për riorganizimin e partisë, forcimin e profilit socialdemokrat dhe një angazhim më të madh për integrimin evropian, si pjesë e strategjisë së saj për t’u rikthyer si alternativë qeverisëse.