“Vizioni për Maqedoninë” do të kthejë klasën e mesme. Më të varfrit do të paguajnë tatime më të ulëta se të pasurit, kurse shteti do t’u ndihmojë kompanive vendore për të hapur më shumë vende pune. Ky është, sipas Zoran Zaev, vizioni i opozitës për Maqedoninë.
Ai sot prezantoi projektin para mediave dhe paralajmëroi debate publike në mbarë Maqedoninë. “Rrogat e qytetarëve të mundësojnë jetë dinjitoze, pensionet të sigurojnë pleqëri dinjitoze, tatimet të jenë më të vogla për më të varfrit, kurse më të larta për më të pasurit. Ndihma sociale t’i nxjerrë përdoruesit e kësaj ndihme nga varfëria, shteti të mundësojë zhvillim të afaristëve vendor, kurse ata të hapin vende të reja pune”, theksoi Zaev.
Zaev tha se ky projekt mbështetet në 5 shtylla, kurse në bazë të këtyre themeleve do të adaptohet edhe shoqëria. Nga LSDM thonë se, duke filluar prej sot, do të hapen punkte ku qytetarët do të kontribuojnë drejtpërsëdrejti me idetë e tyre. Debati publik për projektin “Vizioni për Maqedoninë” do të fillojë prej Negotinës, kurse debate të tilla do të ketë në tërë vendin.
Furkan Saliu
