LSDM me pastrim të thellë në kryesi, Arsovski: Dorëheqjet janë hapi i parë, por duhen ndryshime thelbësore

TË FUNDIT

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, e ka nisur procesin e riorganizimit dhe reformave në parti, pasi dje kërkoi dorëheqje nga e gjithë udheheqesija, përfshirë edhe të gjithë Kryesinë Ekzekutive. Ky veprim i Filipçes vjen vetëm një muaj pas zgjedhjeve lokale në të cilat LSDM doli me rezultat të dobët. Pas dy orësh debat në selinë e partisë mbrëmë vonë, ku ai kërkoi dorëheqje kolektive, Filipçe theksoi se megjithatë nuk do të ketë zëvendësim të plotë por një freskim, si te nënkryetarët ashtu edhe në Kryesinë Ekzekutive.

“E pranuan propozimin që të bëhet ai akt formal i dorëheqjeve individuale dhe më autorizuan që më tej në bisedë me secilin prej tyre, përfshirë edhe personat që deri më tani kanë qenë në Kryesinë Ekzekutive, por edhe njerëz të tjerë, së bashku të bëjmë një freskim të ekipit. Diskutuam për aktivitetet e partisë në periudhën e ardhshme, për postulatet propozim të programit të ri dhe mënyrën se si do ta prezantojmë atë para qytetarëve dhe anëtarësisë”, tha Venko Filipçe – Kryetar i LSDM-së .

Nga VMRO-DPMNE komentohet se dorëheqja duhej të vinte pikërisht nga Filipçe.

“Përderisa Filipçe kërkon përgjegjësi nga të tjerët – nga anëtarët e Kryesisë Ekzekutive, nënkryetarët dhe sekretarët e përgjithshëm – ndërsa vetë nuk jep dorëheqje, partia as nuk do të ketë kredibilitet dhe as legjitimitet”, u shpreh Valentin Manasievski – VMRO-DPMNE .

Sa do të arrijë LSDM të ngrihet në këmbë me ndryshim të udhëheqësisë dhe vendosjen, siç tha vetë Filipçe, të kuadrove të reja dhe të freskëta – apo a duhen hapa më konkretë? Komunikologu Petar Arsovski thotë se dorëheqjet janë të mira, sepse pas tyre duhet të pasojnë ndryshime më të thella dhe më thelbësore në parti, të cilat janë të domosdoshme.

“Hapi i parë është i mirë, në kuptimin që hapet hapësirë për ndryshime më serioze në zgjidhjet kadrovike, që mund t’i sjellin partisë rezultat më të mirë më tej. Rezultatet tregojnë se atje nevojitet një ndryshim i ideologjisë, pra i doktrinës dhe ofertës politike, siç është rasti kudo tek e majta në Evropë. Pastaj nevojiten ndryshime në organizim dhe në kapacitetin e partisë për të ofruar politika, si dhe në komunikimin me publikun”, theksoi Petar Arsovski – Komunikolog.

Arsovski shton se rezultati i dobët në zgjedhjet lokale nuk është arsyeja vendimtare për këtë veprim, pasi partia është në gjendje të vështirë tashmë prej një periudhe të gjatë. Ai thotë se procesi i reformave nuk do të jetë i lehtë dhe nuk mund të kryhet në afat të shkurtër.

Ndryshe, dorëheqja e parë në parti u dha nga nënkryetarja Ana Çupeska menjëherë pas raundit të parë të zgjedhjeve lokale. Pas saj, dorëheqje dha edhe kandidati për kryetar të Komunës së Karposhit dhe kryetar i organizatës komunale, Kostadin Acevski, i cili edhe atëherë tha se dorëheqje duhet të japin edhe kryetari Filipçe dhe e gjithë udhëheqja e partisë.