LSDM me kritika në 2-vjetorin e qeverisë: Është përkeqësuar standardi jetesës, pagat nuk janë rritur

TË FUNDIT

Pas dy vitesh qeverisje të VMRO-DPMNE-së, standardi i jetesës së qytetarëve është përkeqësuar dhe premtimet për paga më të larta dhe jetë më të mirë nuk janë realizuar, kritikon opozitarja LSDM. Sipas nënkryetares Jovana Trençevska,gjatë kësaj periudhe janë rritur vetëm çmimet, kostot e jetesës dhe varfëria.

“VMRO premtoi inflacion prej 2,5%. Sot inflacioni është 4,8% dhe është pothuajse dy herë më i lartë se premtimi. Në platformën 1198 premtuan standard më të lartë jetese – janë rritur vetëm shpenzimet e jetesës. Sot një familjeje katëranëtarëshe i nevojiten pothuajse 70.000 denarë në muaj për t’i mbuluar shpenzimet bazë. Kjo do të thotë se për një jetë normale nevojiten pothuajse tre paga minimale”, tha Jovana Trençevska, LSDM.

LSDM thotë po ashtu se punëtorët në Maqedoni kanë ndër pagat më të ulëta në Evropë, ndërsa shporta e konsumit po bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë. Trençevska theksoi se DPMNE kishte premtuar ulje të varfërisë, por sipas saj, që në vitin e parë të mandatit është shënuar rritje prej 22 për qind.

“E vetmja gjë që i shkon mirë VMRO-së janë manipulimet. I mashtruan edhe pensionistët. Me një fushatë të rreme i fituan, për t’ua shkurtuar më pas dhe marrë paratë. Nëse do të ruhej sistemi ynë, rritja më e vogël e pensioneve do të ishte rreth 1.500–1.600 denarë, ndërsa më e madhja 3.500 denarë. Dy herë në vit kjo do të sillte më shumë para për pensionistët”, deklaroi Jovana Trençevska .
LSDM akuzoi po ashtu se në dy vitet e fundit qeveria nuk ka përmbushur premtimet për mbështetjen e kategorive socialisht të rrezikuara, duke mos realizuar rritje të ndihmave sociale, shërbimeve dhe përfitimeve për familjet në nevojë.