Qeveria dhe opozita me akuza të ndërsjella për inflacionin, i cili në tetor arriti në 4,5%. Sipas partisë opozitare LSDM, Maqedonia gjendet në fund të standardit të jetesës, në kundërshtim me sigurinë e qeverisë se inflacioni po bie, ai mbetet i lartë dhe zvogëlon fuqinë blerëse të qytetarëve.
“Qeveria nuk pranoi asnjë nga propozimet konkrete të LSDM-së – as propozimin për pagë minimale prej 500 eurosh, as heqjen e TVSH-së për produktet ushqimore. Dhe kështu vazhdon – në Buxhetin e ri për vitin 2026 nuk është parashikuar rritje e pagës minimale në 500 euro, as masa për uljen e çmimeve. Kjo do të thotë se gjatë gjithë vitit të ardhshëm qytetarët dhe punëtorët mund të presin një jetë edhe më të shtrenjtë, ndërsa Qeveria nuk do të ndërmarrë asgjë”, tha Bogdanka Kuzeska, zëdhënese e LSDM.
Nga VMRO-DPMNE thonë – nëse qytetarët do të ishin vërtet të pakënaqur me punën e VMRO-DPMNE-së, nuk do t’i jepnin një mbështetje kaq të madhe dhe bindëse në zgjedhjet lokale.
“Ky është mesazhi më i qartë nga populli se ka besim në politikat që sjellin rezultate. Si mundet pikërisht partia që për vite me radhë dëmtoi buxhetin e shtetit për interesa personale dhe partiake, sot të mbajë konferenca për shtimin e standardit të jetesës dhe ekonomisë. Sa ironike është që LSDM flet për inflacionin, kur pikërisht në kohën e tyre shteti u përball me inflacion dyshifror dhe paqëndrueshmëri ekonomike”,s htojnë nga VMRO-DPMNE.
Statistikat kanë bërë të ditur se inflacioni vjetor në tetor është 4,5%. Nëse krahasohen dhjetë muajt e këtij viti me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, inflacioni ishte 4,1%. Rritje e madhe ka te çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, për 7%.
